Bota ka përjetuar qershorin më të nxehtë në histori muajin e kaluar, me temperaturë mesatare prej 16.4 gradësh Celsius.
Administrata e Oqeanisë dhe Atmosferës e Shteteve të Bashkuara tha se temperatura mesatare globale ka qenë për 1.7 Fahrenheit më e nxehtë se mesatarja e shekullit 20.
Sipas saj, të nxehtit ka qenë më i përqendruar në Evropë, Rusi, Kanada dhe Amerikë Jugore.
Agjencia amerikane e lëshoi raportin në kohën kur Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një, siç u tha, “valë të rrezikshme të të nxehtit”.
Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA paralajmëroi se dhjetëra miliona njerëz do të preken nga nxehtësia e tepërt në ditët e ardhshme, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 110 Fahrenheit apo 43.3 gradë Celsius.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar se temperaturat rekorde do të vazhdojnë si rezultat i ndryshimeve klimatike.