Bota shënon ditën e turizmit, Kosova numëron mbi 186 mijë vizitorë nga janari deri në qershor

Prishtinë | 27 Sht 2022 | 12:41 | Nga Ekonomia Online

Gjersa sot shënohet Dita Botërore e Turizmit, Kosova pati 186 mijë e 555 vizitorë vendorë dhe të huaj nga muaji janar e deri në qershor të këtij viti.

Ndonëse Kosova nuk ka dalje në det potenciali i saj për zhvillim turistik me bukuritë natyrore ka marrë vëmendjen edhe në rajon dhe më gjerë.

Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), për gjashtë muajt e parë të këtij viti pati një numër të lartë të vizitorëve në vend. Rajoni i Prishtinës ishte më vizituari për të vazhduar me Prizrenin e Pejën ndërsa turistët që vizituan vendin përveç nga Shqipëria një numër të lartë pati edhe nga Gjermania, Zvicra e Turqia, përcjell Klankosova.tv.

Por cili është numri i vizitorëve që frekuentuan Kosovën përgjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti?

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga 206 hotele që ushtrojnë veprimtari hoteliere në vend, numri i vizitorëve vendor dhe të huaj vetëm gjatë janarit të këtij viti arriti në 31 mijë e 223, prej tyre 46.77% ishin vendor dhe 53.23% të huaj.

Rajoni i Prishtinës kishte numrin më të madh të vizitorëve, më 10 mijë e 351 vizitorë dhe me 19 mijë e 106 net qëndrimi.

E pas kryeqytetit, qytetet tjera më të vizituara ishin: Prizreni, Peja, e kështu me radhë. Ndërsa sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh i tyre ishte nga: Shqipëria, Gjermania, Zvicra, etj.

Muaji shkurt i këtij viti ishte më pak i vizituar, sipas të dhënave të ASK-së, numri total i vizitorëve arriti numrin e 27 mijë e 739, prej tyre 44.92% ishin vendorë ndërsa 55.08% të huaj.

Ndryshe nga muaji janar, rajoni i Prishtinës u vizitua nga 11 mijë e 213 vizitorë me 16 mijë e 925 net qëndrimi.

Njejtë si muaji paraprak, vendet më të vizituara pas Prishtinës ishin Prizreni e Peja ndërsa nga të huajt numri më i madh i vizitorëve erdhi nga Shqipëria,Gjermania, Zvicra,etj.

Muaji mars, kishte numër më të madh të vizitorëve krahasuar me muajin paraprak, por më të ulët nëse e krahasojmë me muajin janar.

28 mijë e 662 ishte numri i vizitorëve për këtë muaj, prej tyre 37.18% ishin vendorë ndërsa 62.82% të jashtëm.

Përsëri, numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka regjioni i Prishtinës me 13 mijë e 834 vizitor dhe 24 mijë 394 net-qëndrimi.

Ndërsa nga numri i vizitorëve të huaj pas Prishtinës e Prizrenit, një numër të lartë gjatë këtij muaji pati edhe në Mitrovicë. Sa u përket vizitorëve të huaj numri më i madh ishte nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, njëjtë si në muajt paraprak.

Rritje të numrit të vizitorëve vendorë dhe të huaj pati edhe në muajin prill ku numri i tyre arriti në 29 mijë e 195, prej tyre 35.57% ishin vendorë dhe 64.43%  të jashtëm.

Rajoni i Prishtinës sërish prin për numrin më të madh të vizitorëve me 15 mijë e 83 dhe 24 mijë e 892 net-qëndrimi.

Pas këtij kryeqytetit, vendet më të vizituar për muajin prill ishin edhe Prizreni, Peja etj, ndërsa sa u përket vizitorëve të huaj numri më i madh është nga Shqipëria, Zvicra, Gjermania, ashtu si në muajt e kaluar.

E muaji maj, ishte muaj më favorshëm sesa muajt paraprak sa i përket numrit të vizitorëve vendor dhe të huaj.

32 mijë e 444 persona vizituan Kosovën gjatë këtij muaji prej të cilëve 37.12% ishin vendor dhe 62.88% ishin të jashtëm.

Edhe në këtë muaj, rajoni i Prishtinës prin me numrin e vizitorëve të cilët arritën numrin e 15 mijë e 223 vizitorëve dhe 24 mijë e 358 net-qëndrime.

Njëjtë si muaji paraprak, vendet më të vizituara pas Prishtinës ishin Prizreni e Peja ndërsa nga të huajt numri më i madh erdhi nga Shqipëria,Gjermania, Zvicra,etj.

Qershori ishte muaji që pati numrin më të lartë të vizitorëve gjatë këtij gjashtëmujori, ku arriti numrin e 37 mijë e 292 vizitorëve prej tyre 30.59% ishin vizitorë vendorë dhe 69.41% ishin të jashtëm.

Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e pati rajoni i Prishtinës me 16 mijë e 989 vizitorë dhe 29 mijë e 626 net-qëndrime.

Numri më i madh i vizitorëve të huaj pas Prishtinës gjithashtu përqendrohet edhe në Pejë, Prizren e kështu me radhë. Ndërsa në dallim nga muajt paraprak, sa u përket vizitorëve të huaj, përveç nga Shqipëria e Gjermania pati edhe nga Turqia.

Kujtomë se Dita Botërore e Turizmit, tashmë ka një datë të shënuar qysh nga miratimi i Statutit të Turizmit Botëror në vitin 1970.

Me rastin e kësaj dite, zyrtarë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë, sot vizitojnë parkun arkeologjik Ulpiana dhe Etno Fest për t’i lënë vendin vizitave treditore që do t’u bëhen vendeve turistike në vend.

Të ngjashme