Bougainville, me 250 mijë banorë e me rreth 30 gjuhë, pritet të bëhet shteti më i ri në botë

Prishtinë | 24 Nën 2019 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Një shteti i ri mund t’i bashkohet 197 të tjerëve ekzistues. Një shtet që shumë pak kanë dëgjuar ndonjëherë, por që është shumë i pasur në minerale por edhe po aq i vuajtur, me një luftë civile 20- vjeçare që i ka kushtuar atij vendi 15 mijë viktima.

Po flasim për Bougainville, një seri ishujsh dikur koloni gjermane dhe më pas bazë strategjike e rëndësishme e Aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, që deri më tani kanë qenë pjesë e Papua Guinesë së Re, dhe që njihen edhe si Solomonet e Veriut, fakt ky që ka qenë shkëndija e luftës civile.

Ishujt Paqësorë të Bougainvillet janë duke votuar në një referendum historik për të vendosur nëse do të bëhen shteti më i ri në botë duke fituar pavarësi nga Papua Guinea e Re, raporton agjencia britanike e lajmeve “Press Association”.

Referendumi do të zgjasë dy javë dhe është pjesë kyçe e marrëveshjes për paqe të vitit 2001 që i dha fund luftës civile ku së paku 15 mijë vetë vdiqën në ishujt në lindje të Papua Guinesë së Re.

Ekspertët besojnë se 250,000 banorët e Bougainvillet do të votojnë në shumicë për pavarësi para opsionit tjetër, që është autonomi e zgjeruar, por ky votim nuk do të jetë fjala përfundimtare, transmeton Koha.net.

Referendumi është jo-detyrues dhe vota për pavarësi do të duhej negociuar nga liderët e Bougainvillet dhe të Papua Guinesë së Re. Fjala përfundimtare do t’u shkojë legjislatorëve në parlamentin e Papua Guinesë së Re.

Gianluca Rampolla, koordinatori rezident i OKB-së në Papua Guinenë e Re, thotë se organi botëror ka punuar shumë që të sigurojë votim paqësor, transparent, gjithëpërfshirës dhe të besueshëm. Ai thotë se në terren janë 40 pjesëtarë të OKB-së dhe mbi 100 vëzhgues ndërkombëtarë. Ai thotë se nuk pritet të ketë dhunë gjatë votimit.

“Kanë pritur 19 vjet për këtë moment historik”, ka thënë ai. “Mendoj se do të dalin të kënaqur”.

Në referendum të drejtë vote kanë vetëm pak më shumë se 200,000 njerëz, ndërsa rezultatet pritet të shpallen kah mesi i dhjetorit. Rampolla thotë se arsyeja përse i është lënë afat 2 javë për votim është terreni i vështirë i rajonit, dhe fshatrat, ku fliten rreth 30 gjuhë të ndryshme, janë të izoluara njëra nga tjetra.

“Ka njerëz që vijnë me anije, e ka të tillë që vijnë edhe në këmbë. Është sezon i shirave. Detet janë të ashpra”, thotë ai.

John Momis, president i Rajonit Autonom të Bougainvillet, u tha gazetarëve të premten se vendi është në prag të një rendi të ri socio-ekonomik dhe politik.

“Jemi pionierë që po krijojmë në shteg të ri në të panjohurën me vendosmërinë e plotë për t’u përballur me çdo sfidë që na del përpara”, thotë ai. “Do ta përballojmë këtë së bashku si një popull dhe një zë i vetëm për të vendosur të ardhmen tonë përfundimtare politike”.

Në kolumnen e tij të përjavshme në gazetën “Post-Courier”, kryeministri i Papua Guinesë së Re, James Marape, tha se do të duhen diskutime dhe negociata komplekse pas referendumit para arritjes së një zgjidhjeje politike.

Dhuna në Bougainville nisi në fund të viteve të 1980-ta, e nxitur nga konflikti për një minierë bakri në Panguna.

Miniera ishte përfitues i madh i eksportit për Papua Guinenë e Re, por shumë njerëz në Bougainville ndienin se nuk po përfitonin dhe nuk u pajtuan me ndotjen dhe me prishjen e mënyrës së tyre tradicionale të të jetuarit.

Miniera ka mbetur e mbyllur që nga konflikti. Disa besojnë se mund të jetë burim i ardhshëm i të hyrave për Bougainvillen nëse bëhet i pavarur.

Lufta civile zgjati një dekadë para se të nënshkruhej marrëveshja për paqe. Aspekte tjera kyçe të marrëveshjes ishin plani për çarmatosje dhe për autonomi më të gjerë për rajonin.

Rampolla tha se marrëveshja e paqes ka qenë një prej të paktave në botë që ka zgjatur kaq shumë. Ai tha se mund të përfundojë si një histori suksesi nëse referendumi dhe negociatat vijuese do të rezultonin në një rezultat që të gjithë mund të mbështesin.

Të ngjashme