Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Dardan Fusha dhe Presidenti i Shoqatës Evropiane të Shtëpive të Kliringut (EACHA), Jose Luis Langa, nënshkruan anëtarësimin e BQK-së në këtë organizatë pas votimit të anëtarëve të saj gjatë Takimit Plenar të organizuar në kuadër të Forumit të Pagesave në Sofje të Bullgarisë.
Anëtarësimi në EACHA paraqet një hap të rëndësishëm, duke marrë parasysh projektet dhe reformat në proces lidhur me digjitalizimin e shërbimeve të pagesave
EACHA ka anëtarë nga 25 vende të ndryshme evropiane, duke përfshirë disa banka qendrore si ajo e Gjermanisë (Deutsche Bundesbank) dhe Italisë (Banca D’Italia), si dhe disa nga operatorët dhe infrastrukturat më të mëdha evropiane të pagesave në pronësi të bankave. Kjo organizatë shërben si një forum për të mbështetur anëtarët e saj në zbatimin e Rregullave dhe Standardeve të Pagesave të Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), si dhe për të mësuar nga përvojat e njëri-tjetrit në zhvillimin dhe adoptimin e skemave, sistemeve dhe infrastrukturave të reja të pagesave.