Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka njoftuar Sektori fiskal në TM1 2019 u karakterizua me rritje të të hyrave dhe rënie të shpenzimeve buxhetore prej 10.4 përqind përkatësisht -4.5 përqind.
Rrjedhimisht, si rezultat i rritjes më të lartë të të hyrave dhe rënies së shpenzimeve buxhetore, buxheti i Kosovës regjistroi suficit primar buxhetor prej 6.1 milionë euro (48.6 milionë euro deficit në TM1 2018).
“Borxhi publik në TM1 2019 ka arritur në 1.1 miliardë euro, që është për 8.5 përqind më i lartë krahasuar me TM1 2018. Rritja e borxhit publik në Kosovë i atribuohet rritjes së borxhit të brendshëm përderisa borxhi i jashtëm publik u karakterizua me rënie. Si përqindje e BPV-së, borxhi publik ka arritur në 16.3 përqind nga 16.1 përqind sa ishte në TM1 2018.”, thuhet në raportin ‘Vlerësimi Tremujor i Zhvillimeve Makroekonomike”, raporton RTKlive.
Sipas BQK-së, në dy muajt e parë të vitit 2019, sektori i jashtëm është karakterizuar me rritje vjetore të deficitit të llogarisë rrjedhëse për 38.2 përqind.
“Kjo rritje e deficitit të llogarisë rrjedhëse ishte si rezultat i rritjes së deficitit të mallrave si dhe zvogëlimit të suficitit të shërbimeve dhe të ardhurave parësore, përderisa bilanci i të ardhurave dytësore shënoi rritje. Në kuadër të bilancit të pagesave, remitencat dhe Investimet e Huaja Direkte (IHD) shënuan rritje vjetore prej 4.5 përqind përkatësisht 54.9 përqind”, thuhet në raport.