Me moton “E ardhmja jonë fillon me kursimet”, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës, kanë shënuar Ditën Botërore të Kursimeve.
Pjesë e këtij aktiviteti kanë qenë nxënës të shkollave fillore të kryeqytetit, të cilët kanë vizituar ekspozitën me monedha ilire, monedha e kartëmonedha euro.
Ekspozita po mbahet në mjediset e BQK-së, ku janë të ekspozuara monedhat antike që i ka në dispozicion Muzeu i Kosovës.
Krahas ekspozimit të monedhave, BQK, përkatësisht Divizioni për Edukim Financiar është përkujdesur që nxënësit e shkollave të kryeqytetit të marrin pjesë në një punëtori, ku nxënësit kanë treguar shkathtësitë e tyre në vizatime dhe punime. Përmes kreativitetit të tyre, ata kanë realizuar krijimet e tyre për kursimet gjithnjë duke vënë në pah domosdoshmërinë e kursimit si një kulturë dhe shprehi të rëndësishme për të ardhmen e tyre.
Në hapje të këtij aktiviteti, për rolin dhe rëndësinë e BQK-së, rëndësinë e ditës ndërkombëtare të kursimeve, pse duhet të kursejmë fëmijëve u ka folur Ajshe Ramosaj–Ahmetaj, ndërsa për thesarin numizmatikës në periudha të ndryshme kohore, dhe monedhat antike që janë ekspozuar kanë folur zyrtarë të Muzeut të Kosovës, duke i njoftuar me përmbajtjen dhe rëndësinë që paraqesin këto monedha.
Këto monedha e pasqyrojnë zhvillimin historik që nga antikiteti i hershëm, mesjeta dhe deri në ditët e sotme, u tha me këtë rast.
Nxënësit po ashtu patën mundësinë që për së afërmi të shohin të gjitha denominimet e monedhave dhe kartëmonedhave euro, për tiparet kryesore te të cilave nxënësit u informuan nga Islam Bahtiri, zyrtar i lartë në Departamentin e Parave dhe Marrëdhënieve Bankare.
Ky aktivitet me nxënës të shkollave të kryeqytetit do të vazhdojë edhe nesër, po ashtu, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Dita Botërore e Kursimeve shënohet në mbarë botën nga institucionet financiare që nga viti 1924. Kjo datë u vendos si ditë botërore e kursimeve në kongresin e mbajtur në Milano, me qëllim të ngritjes së njohurive dhe rëndësisë së kursimeve.
BQK-ja e shënon këtë ditë me aktivitete të ndryshme edukative për disa vite me radhë.