Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka vazhduar dhe sot aktivitetet me moton “E ardhmja jonë fillon me kursimet”, për shënimin e Ditës Botërore të Kursimeve.
Nxënës të shkollave fillore të kryeqytetit kanë vizituar BQK-në, ku zyrtarë të Divizionit për Edukim Financiar iu kanë folur atyre për paratë dhe kursimit si një kulturë dhe shprehi e rëndësishme për të ardhmen e tyre.
Me këtë rast, nxënësit kanë vizituar dhe ekspozitën me monedha nga antikiteti i hershëm, mesjeta dhe deri në ditët e sotme. Monedhat antike janë vënë në dispozicion nga Muzeu i Kosovës.
Dita Botërore e Kursimeve shënohet në mbarë botën nga institucionet financiare që nga viti 1924. Kjo datë u vendos si ditë botërore e kursimeve në kongresin e mbajtur në Milano, me qëllim të ngritjes së njohurive dhe rëndësisë së kursimeve.
BQK-ja e shënon këtë ditë me aktivitete të ndryshme edukative për disa vite me radhë.