Gjatë ditës së sotme, në zyrat e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës është mbajtur takim ndërmjet Guvernatorit Mehmeti dhe Zëvendësguvernatorit Havolli me Zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z. Hysen Durmishi, përfaqësuesit e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS) z. Besarb Blakaj, Kryetar i Këshillit Administrativ dhe Sami Mazreku Drejtor Ekzekutiv, ku është diskutuar lidhur me inicimin e projektit për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, me qëllim të identifikimit më të lehtë nëse këto mjete motorike qarkullojnë si të regjistruara ligjërisht ose jo.
BQK-ja dhe BKS-ja përkrahin Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike. Të gjitha shpenzimet financiare dhe operative lidhur me vendosjen e ngjitësve nëpër mjete motorike do ta bartin siguruesit, respektivisht BKS-ja si përfaqësuese e industrisë së sigurimeve në Kosovë. Rrjedhimisht, buxheti i shtetit të Republikës së Kosovës nuk do të ketë asnjë ngarkesë financiare lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers).
Duke filluar nga data 1 mars 2022 është planifikuar të fillojë zbatimi i plotë i projektit ashtu që brenda periudhës prej një viti të kemi një gjendje të re mbi automjetet e regjistruara rregullisht në Republikën e Kosovës. Nga kjo datë e tutje, anëtarët sigurues të BKS-së do të kenë autorizimin për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, me rastin e sigurimit të tyre pranë Qendrave të Regjistrimit të Automjeteve.
Për implementimin e plotë të këtij projekti, lidhur me vendosjen e ngjitësve (stickers) në mjetet motorike për identifikimin e të njëjtave nëse ato qarkullojnë në komunikacion rrugorë të regjistruara ligjërisht ose jo, do të nënshkruhet memorandum i mirëkuptimit me kohëzgjatje prej 1 viti, për monitorimin e zbatimit të të njëjtit. Zëvendësministri Durmishi u zotua se në kuadër të këtij memorandumi të mirëkuptimit, Qeveria e Republikës së Kosovës do të nxjerrë të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për të zbatuar plotësisht projektin në fjalë.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, në kuadër të kompetencave ligjore që kanë sipas ligjit, do të verifikojnë rregullsinë e dokumentacionit përkatës të mjeteve motorike në qarkullim rrugor.
Implementimi i këtij projekti për vendosjen e ngjitësve (stickers) nëpër mjetet motorike, ka për qëllim uljen e numrit të mjeteve motorike të pasiguruara/paregjistruara në qarkullim rrugor, si një ndër parakushtet e domosdoshme për anëtarësim në organizatën e Këshillit të Byrove në Bruksel ose gjetjen e zgjidhjeve alternative për qarkullim të lirë.