Deutsche Bundesbank, së bashku me 19 banka qendrore kombëtare të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore (ESCB) dhe Bankën Qendrore Evropiane (BQE), kanë lansuar një program të financuar nga BE-ja, nga i cili do të përfitojnë Banka e Shqipërisë, Banka Qendrore e Bosnje dhe Hercegovinës, Agjencia Bankare e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Agjencia Bankare e Republikës Srpska, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Banka Qendrore e Malit të Zi, Banka Kombëtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Banka Kombëtare e Serbisë.
Qëllimi i programit është të forcojë më tej kapacitetet institucionale të institucioneve përfituese, veçanërisht duke përmirësuar mjetet e tyre analitike dhe të politikave dhe duke transferuar standardet më të mira ndërkombëtare dhe evropiane në praktikat kombëtare.
Bashkimi Evropian (BE) ka ndarë 3 milionë euro për programin nga Instrumenti i saj për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA III).
Në aktivitetin e parë të mbajtur sot në Bankën e Italisë, zëvendës Guvernatori i Lartë Luigi Federico Signorini ripohoi rëndësinë e bashkëpunimit teknik ndërkombëtar si një instrument për dialogun institucional, duke kontribuar në ndërtimin e prosperitetit dhe paqes.
Rëndësia strategjike e këtij projekti në kuadrin më të gjerë të anëtarësimit në BE vihet në dukje nga qëllimi dhe gjerësia e programit dhe është veçanërisht relevante në rrethanat aktuale të sfidave të përhapura gjeopolitike, ekonomike dhe financiare.
Z. Florian Hauser nga Drejtoria e Përgjithshme e Komisionit Evropian për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit nënvizoi se “programi përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e qeverisjes ekonomike dhe përmirësimin e kuadrit institucional në Ballkanin Perëndimor.
Ai mbështet përgatitjen e bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor për integrimin e tyre në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore.”
Znj. Alexandra Hachmeister, Drejtoreshë e Përgjithshme në Deutsche Bundesbank, theksoi rëndësinë e arritjes së rezultateve të qëndrueshme dhe rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve..
Gjatë 36 muajve të ardhshëm, Bundesbank, së bashku me bankat qendrore partnere dhe me kontributet e BQE-së, do të organizojë një program intensiv trajnimi rajonal mbi çështjet kryesore të bankimit qendror dhe mbikëqyrjes.
Trajnimi do të fokusohet veçanërisht në fushat e luftimit të pastrimit të parave, mbikëqyrjes bankare, stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorëve financiar dhe përfshirjes financiare, ristrukturim bankar, komunikimit, tregjeve financiare, teknologjisë së informacionit, hulumtimeve të politikës monetare, sistemeve të pagesave, statistikave, integrimit në BE, politikave të qeverisjes, kontabilitetit dhe auditimit të brendshëm.
Gjithashtu do të organizohen tri punëtori të politikave për vendimmarrësit mbi sistemet e pagesave, menaxhimin e parasë dhe çështjet e qeverisjes. Për më tepër, programi do të mbështesë zbatimin e masave specifike dypalëshe, përveç ngjarjeve të trajnimit rajonal.
Programi po zbatohet nga Bundesbanka si koordinator në partneritet me Bankën Kombëtare te Belgjikës, Bankën Kombëtare te Bullgarisë, Bankën Kombëtare te Çekisë, Bankën e Greqisë, Bankën e Spanjës, Bankën e Francës, Bankën Kombëtare te Kroacisë, Bankën Qendrore te Irlandës, Bankën e Italisë, Bankën e Lituanisë, Bankën Qendrore te Luksemburgut, Banka Qendrore të Hungarisë, Bankën e Holandës, Bankën Kombëtare te Austrisë, Bankën Kombëtare te Polonisë, Bankën e Portugalisë, Bankën Kombëtare te Rumanisë, Bankën Kombëtare të Sllovenisë dhe Bankën Kombëtare te Sllovakisë. Banka Qendrore Evropiane do të kontribuojë në zbatimin e projektit.