Në veri mund të votohet me letërnjoftime të Serbisë

Prishtinë | 21 Tet 2017 | 09:18 | Nga

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, gjatë një interviste ka deklaruar se të dielën do t’i kenë 220 përfaqësues nga ky mision në komunat veriore të Kosovës. Sipas tij, sipas udhëzimeve të KQZ-së qytetarët e veriut do të mund të votojnë edhe me letërnjoftim të vlefshëm të Serbisë

Fakti që Kosova ka më shumë votues sesa banorë është pasojë e mospastrimit të regjistrit civil, me ç’rast as lista e votuesve nuk mund të ndryshohet pa u ndryshuar regjistri.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, duke shtuar se ka gjithmonë rrezik për parregullsi në proces nëse të vdekurit figurojnë në listën e votuesve.

Ambasadori Braathu ka bërë të ditur se edhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian, të cilët kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare, i kanë bërë dy rekomandime për institucionet e Kosovës: të bëhet përpjekje e madhe që të hiqen personat e vdekur nga regjistri civil dhe më pas edhe nga lista e votuesve, si dhe të ekzistojë një sistem i unifikuar i adresave në Kosovë.

Misioni i OSBE-së në zgjedhjet lokale të së dielës do t’i dërgojë 220 përfaqësues në komunat veriore të Kosovës, të cilët do t’i ofrojnë këshilla teknike komisioneve komunale.

Sa i përket mundësisë së serbëve të veriut të Kosovës që në ditën e zgjedhjeve të votojnë me dokumente të Serbisë ambasadori Braathu gjatë kësaj interviste për “Zërin” ka thënë se sipas udhëzimeve të KQZ-së një gjë e tillë është e mundur. “Ne ndjekim udhëzimet e KQZ-së dhe kjo e fundit ka marrë një vendim për të ndjekur Ligjin Zgjedhor.

Në Ligjin Zgjedhor ka një listë të dokumenteve të pranuara: letërnjoftimet e vlefshme, që do të thotë, edhe para dialogut të Brukselit por që është rikonfirmuar edhe në dialogun e Brukselit, identitete të vlefshme serbe, patentën e shoferit. Është e shkruar qartë ashtu”, ka thënë Braathu.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme