Të martën e javës së ardhshme, më 15 prill, pritet të bëhet konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
Aty pritet të bëhet edhe propozimi i një kryetari të Kuvendi të Kosovës ku më pas do të votohet nga deputetët e Kuvendit.
Lahi Brahimaj, deputet i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se propozimi i emrit për kryeparlamentar i takon Lëvizjes Vetëvendosje, por ai është skeptik se mund të bëhet zgjedhja e kryetarit të ri atë ditë.
“Fillimisht në seancë përshkruhet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, dihet se fillimisht i takon partisë së parë, pra Lëvizjes Vetëvendosje”.
“Më pas propozohen nënkryetarët për Kuvend, dhe më pas vjen propozimi i një emri për kryetar të Kuvendit që duhet bëhet nga Lëvizja Vetëvendosje nëse e bën propozimi, formohet parlamenti dhe mendoj se me këtë procedurë përfundon seanca sepse nuk i ka numrat ta zgjedh kryetarin në këtë seancë”, ka thënë Brahimaj. /Klankosova.tv