Bregu në Tiranë: Zbatimi i masave të sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor kërkon gjithëpërfshirje

AHP
Prishtinë | 09 Kor 2024 | 16:54 | Nga Ekonomia Online

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), me mbështetjen e Komisionit Evropian, organizoi sot në Tiranë Konferencën e dytë të Nivelit të Lartë me temë “Sfidat e sigurisë kibernetike dhe mundësitë në Ballkanin Perëndimor”. Konferenca kishte në përmbajtje diskutime mbi infrastrukturën, duke prezantuar  zgjidhje praktike, parë nga perspektiva e sektorit privat dhe publik, duke eksploruar se si teknologjitë në zhvillim mund të rrisin sigurinë e infrastrukturës kritike.

“Vitin e kaluar, ne filluam një dialog të nivelit të lartë për sigurinë kibernetike dhe që atëherë kemi parë përparim të rëndësishëm. Të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor i kanë dhënë përparësi aftësive digjitale në agjendat e tyre kombëtare të reformave. ID-Wallet (Portofoli ID), fillimisht propozim i RCC-së, tani njihet nga BE-ja për aderim në Tregun e Përbashkët të Bashkimit Europian. RCC, me mbështetjen e BE-së, po zhvillon një qasje rajonale të sigurisë kibernetike. Legjislacioni i Ballkanit Perëndimor është në përputhje me ato të BE-së dhe siguria kibernetike është tani një fokus kyç në Tregun e Përbashkët Rajonal, duke synuar integrimin në Tregun e Përbashkët të BE-së deri në vitin 2028. Përpjekjet përfshijnë përafrimin me kornizën e certifikimit të sigurisë kibernetike të BE-së, bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e legjislacionit të IA. Përqafimi i gjithëpërfshirjes është parësor në përpjekjen tonë për të zbatuar masat e sigurisë kibernetike në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, tha në hapje të konferencës Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu.

Me 5.2 miliardë njerëz në mbarë botën, që kanë akses në internet dhe me 66.2% të popullsisë që e përdorin atë për më shumë se 2 orë e 23 minuta në ditë, siguria kibernetike nuk është më një çështje e sigurisë kombëtare, por një sfidë e sigurisë globale. Vlerësohen 800,000 sulme kibernetike përafërsisht çdo vit në mbarë botën. Ballkani Perëndimor ka parë një rritje të konsiderueshme prej 40% të incidenteve kibernetike vitin e kaluar. Në vitin 2023, më shumë se 1.2 milionë të dhëna personale u ekspozuan për shkak të shkeljeve të të dhënave në rajon dhe sulmet e “ransomware” janë rritur me 200% gjatë dy viteve të fundit. Kërkesa mesatare për shpërblim në rajon është rreth 150,000 €, me disa organizata që paguajnë mbi 1 milion € për të rikuperuar të dhënat e tyre. 75% e bizneseve në Ballkanin Perëndimor raportuan sulme “phishing” vitin e fundit.

Krahas Sekretares së Përgjithshme të RCC, Konferenca e dytë e nivelit të lartë për sigurinë kibernetike u hap edhe nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku dhe Zëvendës Shefja e Njësisë për Politikat dhe Strategjinë Rajonale të Ballkanit Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit të Komisionit Evropian, Anna Vezyroglou.

Si një platformë për diskutime të strukturuara dhe gjithëpërfshirëse mbi sfidat dhe mundësitë e sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor, Konferenca mblodhi përfaqësues të Ministrive të Ballkanit Perëndimor dhe aktorë përkatës rajonalë dhe ndërkombëtarë për të debatuar mbi prioritetet për përmirësimin e situatës aktuale të sigurisë kibernetike në rajon.

Çështjet kryesore që dolën nga konferenca,  përfshijnë aktivitetet në kuadër të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal: forcimi i bashkëpunimit BE-Ballkani Perëndimor mbi kërcënimet kibernetike nëpërmjet shkëmbimit informativ në nivelglobal si thelbësore; dhënies përparësi zgjerimit të Programit të Evropës Digjitale për të përfshirë sigurinë kibernetike për Ballkanin Perëndimor; integrimin e Ballkanit Perëndimor në Kornizën e Çertifikimit të Sigurisë Kibernetike të BE-së për të rritur sigurinë e produkteve të TIK-ut; ativitetet Rajonale të Portofolit ID të lidhura me politikat e BE-së; dhënie përparësi anëtarësimit në Projektin ACTING dhe Akademinë e Aftësive të Sigurisë Kibernetike; njohjen e partneritetit publik-privat si jetik për përmirësimin e masave të sigurisë kibernetike dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet qeverive dhe sektorëve privatë dhe së fundi, investimin në iniciativat e sigurisë kibernetike, duke përfshirë kërkimin, infrastrukturën dhe zhvillimin e fuqisë punëtore, veçanërisht për NVM-të, si thelbësore për një të ardhme të sigurt digjitale.

Të ngjashme