Breitenreite, kandidat serioz për t’u bërë selektor i Kosovës

Prishtinë | 19 Dhj 2023 | 13:37 | Nga Ekonomia Online

Trajneri gjerman, Andre Breitenreite, është kandidati më serioz për të marrë drejtimin e kombëtares së Kosovës në futboll.

Të paktën siç raportojnë mediat zvicerane dhe gjermane, Breitenreite tashmë është takuar me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në ditët në vijim pritet të ketë zhvillime të reja në këtë drejtim. Trajneri 50-vjeçar është pa punë që nga shkurti i këtij viti, kur i ndau rrugët me skuadrën gjermane Hoffenheim.

Breitenreite suksesin më të lartë si menaxher e ka arritur me skuadrën e FC Zurichut duke e udhëhequr drejt titullit të kampionit të Zvicrës, në vitin 2021.

Ai tashmë njeh disa nga lojtarët kosovarë nga koha e tij në Zvicër, duke përfshirë Fidan Alitin dhe Mirlind Kryeziun, të cilët ishin pjesë e ekipit të tij.

Përndryshe, Kosova është në kërkim të një trajneri, pasi Primozh Glihës nuk iu vazhdua kontrata për shkak të mungesës së rezultatave. 

Të ngjashme