Brenda Real Sociedadit, klubit të shquar për akademinë e futbollit

Prishtinë | 26 Dhj 2019 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Deri në vitin 1989, Real Sociedadi kishte një rregull strikt që të zgjidhte vetëm lojtarët që janë rritur në provincën Guipuzcoa në Baski.

Kjo qasje rigoroze solli suksese të mëdha, duke fituar titullin e Spanjës në vitet 1981 dhe 1982 me një skuadër të përbërë me vetëm lojtarë vendas, por më pas, kur nisi të mbetej pa trofe, krerët e klubit vendosën të zgjeronin rrjetën.

Ardhja e John Aldridget nga Liverpooli e çoi skuadrën në një drejtim të ri. Futbollisti nga Liverpooli ndau opinionin në San Sebastian, ku kishte thirrje “i huaj shko në shtëpi” nëpër qytet. Mirëpo, së shpejti ai fitoi zemrat e banorëve vendas me 40 gola në 75 ndeshje.

Klubi ka vendosur të marrë përforcime nga jashtë që nga atëherë, por angazhimi në akademi mbetet prioritet, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Janë dhjetë lojtarë të dalë nga akademia në skuadrën e parë aktualisht dhe çdo përbërje startuese e Sociedadit duhet të ketë së paku katër lojtarë të akademisë.

Akademia Zubieta gjendet rreth 8 kilometra në jug të San Sebastianit.

Drejtori i akademisë, Luki Iriarte, thur elozhe për Antoine Griezmannin, djaloshin më të famshëm të kësaj akademie.

“Ai thjesht ishte ndryshe. Shumë i vogël dhe thatanik. Ne shikonim të përkujdeseshim shumë për të. E dinim se ishte i veçantë. Ai nuk kishte gjetur një klub në Francë, ndonëse ishte provuar në shumë prej tyre. Mënyra franceze e lojës nuk i përshtatej – është më fizike dhe atje shikojnë për lojtarë më të mëdhenj – por inteligjenca e tij e futbollit, vetëdija e tij dhe vizioni për lojën janë ato që i vendosëm në rend të parë, para komponentëve fizikë ku kishte mangësi. E dinim se ishte ndryshe”, thotë Iriarte.

Trajnerët në akademi thonë se klubi ka vizion afatgjatë. Ata besojnë se të rinjtë duhet të kenë një fëmijëri dhe të gjejnë mënyrën e vet te Zubieta, nëse vendosin të shkojnë. Grupmosha më e re në akademi është U-13.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme