Fermeri nga fshati Zabllaq i Komunës së Istogut, Driton Mehmetaj, nuk e di se cilin dëm ta tregojë përpara në kulturat bujqësore pas breshrit të së dielës.
Ai thotë se çdo gjë që ka pasur të mbjellë është dëmtuar. “Çka me fol për dëmet. Çka me fol përpara. Breshri na ka shkaktuar dëme të mëdha. Çka kemi pasë të mbjella krejt i ka prishur. Me misër, me speca, me bostan, me fidanë të lakrës, me ushqim të bagëtisë,… Jemi fshat që e kemi bujqësinë prioritet të mbijetesës. Vetëm misër në tërë fshatin janë dëmtuar mbi 100 hektarë”, tregon Mehmetaj për mundin e investuar me muaj të tërë e me shumë mjete, e të shkatërruar për pak çaste para syve të tij dhe bashkëfshatarëve.
Mehmetaj tregon se vetëm atij breshri ia ka dëmtuar 3 hektarë të mbjellë me misër. Përveç misrit dhe ushqimit të bagëtisë, këtij fermeri i janë dëmtuar edhe 20 arë me speca e 30 arë bostan. Mirëpo, pavarësisht se i ka pësuar gjitha këto dëme, atë edhe më tepër e ka goditur humbja e fidanëve të lakrës. Vetëm në farë për fidanë të lakrës, siç thotë ai, ka investuar një mijë euro.