Mbi 1 milion euro dëme nga breshri në Rahovec

Rahovec | 27 Kor 2016 | 15:57 | Nga

Një komision vlerësues i Komunës së Rahovecit ka llogaritur në mbi 1,3 milion euro vlerën e dëmeve në bujqësi nga shiu e breshri që përfshiu këtë komunë, para dy javësh.

Komisioni ka dalë në terren për të parë situatën dhe llogaritur dëmet në bujqësi.

“Vlera e dëmeve të shkaktuara në sektorin e bujqësisë në komunën e Rahovecit nga shiu-breshëri është 1 325 947 euro, me sipërfaqe 688 hektarë”, thuhet në një njoftim të Komunës së Rahovecit.

Sipas Komisionit, zonat kadastrale më të prekura janë qyteti i Rahovecit, fshatrat Patoqani i Epërm dhe Hoqa e Madhe.

Sipas këtij njoftimi, më së shumti dëme kanë pësuar vreshtat, pastaj kulturat lavërtare, të perimtarisë dhe pemëtarisë.

Haziz Krasniqi, nga zyra e kryetarit Idriz Vehapi, tha  se këto dëme janë shkaktuar nga shiu dhe breshri që ka rënë para afro dy javësh.

“Raporti nga Komisioni Vlerësues i është dërguar Ministrisë së Bujqësisë dhe nuk e dimë nëse Ministria do të bëjë diçka për kompensimin e dëmeve”, tha Krasniqi, duke shtuar se ka pasur shumë ankesa të qytetarëve por se Komuna nuk ka fonde për t’u dalë në ndihmë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme