Rastet e plaçkitjeve, Latifi kërkon shtimin e prezencës së policisë në Rahovec

Prishtinë | 28 Shk 2024 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Rastet e fundit të plaçkitjeve, rrahjeve dhe gjuajtjeve me armë në fshatrat e Rahovecit kanë ngritur shqetësim të qytetarët e kësaj komune.

Në lidhje me këtë çështje, Komuna e Rahovecit sot ka shqyrtuar gjendjen aktuale të sigurisë dhe ka vendosur për një koordinim më të fortë në mes të policisë dhe qytetarëve.

Kryetari Smajl Latifi tha se situata është serioze pasi po cenohen prona dhe pasuria e qytetarëve, dhe kërkoi të rritet prania e ekipeve policore në terren.

“Shqetësimet serioze të qytetarëve tonë, për disa zhvillime, të cilat kanë cenuar pronën dhe pasurinë, coftë përmes veprimeve ordinere të keqbërësve apo veprimeve tjera, të cilat paraqesin rrezik sipas vlerësimeve tona… Kanë avancuar në plaçkitje, grabitje të armatosura, gjuajtje me armë, plagosje, rrahje dhe plaçkitje njëkohësisht. Qëllimi i këtij takimi është që të konfirmojmë gatishmërinë tone të plotë, vullnetin tonë për rritjen e nivelit të gatishmërisë së organeve profesionale, organeve kompetente të cilat i ka në veprim shteti ynë. Ky takim ka për qëllim të konfirmojë rritjen e seriozitetit të të gjitha organeve komunale, të policisë dhe organeve të tjera profesionale, me qëllim që të krijojmë në vazhdimësi klimë të fortë të sigurisë, stabilitetit në trojet dhe shtëpitë tona. Kjo ka për qëllim të konfirmojë bashkëpunimin dhe koordinimin më të mirë që të përballemi bashkërisht të gjithë për kërcënimet e sigurisë, të cilat janë theksuar sidomos nga veprimet…Kërkoj prani më të madhe të forcave policore, forcave elitare të policisë, ato janë, por po kërkoj të mbahet ky nivel dhe të forcohet ky nivel dhe të forcohet ky nivel i pranisë dhe i angazhimit, të cilat i disponon Kosova. Përmes pranisë së tyre dhe angazhimit tyre dërgojnë mesazhin qartë se qytetarët tonë janë të qetë dhe të sigurt”, tha Latifi, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.

Komandanti i stacionit policor të Rahovecit, Fadil Morina tha se rastet e veprave penale në këtë komunë për këtë vit janë 35% janë më pak.

Ai tha se situata është paksa shqetësuese për shkak të rasteve të fundit në dy fshatrat e Rahovecit, por se policia ka ndërmarrë të gjitha masat dhe janë rrugës për t’i zgjidhur.

“Në vitin 2024 në krahasim me vitin e kaluar janë gjithsej 63 raste apo 63 vepra penale, që do të thotë se këta dy muaj të këtij viti në krahasim me vitin e kaluar kemi 30 raste më pak apo 35 për qind. Është situatë shqetësuese dhe brengë duke u ndërlidhur me dy rastet e fundit, mirëpo mund të garantoj që nuk po hezitojmë dhe jemi të përkushtuar. Sa i përket besueshmërisë, jemi institucion që jemi të përkushtuar pavarësisht gjendjes së rrezikshmërisë të secilit zyrtar që është aktiv”, tha Morina

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme