Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson zhvilloi bisedë telefonike me homologun e tij francez Jean-Yves Le Drian lidhur me sulmin kimik në qarkun Duma të Sirisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një komunikatë nga Ministria e Jashtme britanik thuhet se Johnson ka zhvilluar bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Francës Jean-Yves Le Drian lidhur me sulmin kimik të kryer nga forcat e regjimit në rajonin e Gutës Lindore në Siri.
Ai theksoi nevojën e një hetimi urgjent në lidhje me ato që u përjetuan në Duma. Johnson nënvizon rëndësinë e një reagimi të fuqishëm ndërkombëtar kundër këtij sulmi.
Sipas tij, me hetimet ndërkombëtare është zbuluar se regjimi i Asadit që nga viti 2014 e deri më tani ka përdorur të paktën katër herë gaz helmues.
Johnson dhe Le Drian janë dakorduar për nevojën e kërkimit të llogarisë nga përgjegjësit e këtij sulmi.
Ata thanë se dënojnë përdorimin e armëve kimike kudo që të përdoret apo nga kushdo që të përdoret. Dy ministrat u morën vesh të bashkëpunojnë për të qëndruar pas Konventës së Armëve Kimike dhe për të “mundësuar atë që ata të cilët përdorin këtë armë barbare të mos mbeten të paprekur”.
Johnson dhe Le Drian potencuan se takimi i sotëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që do të mbahet në New York do të jetë një hap i rëndësishëm në përcaktimin e reagimit ndërkombëtar që do të tregohet kundër sulmit. Ata po ashtu theksuan se në takim duhet të diskutohen një gamë e gjerë e opsioneve.
Mbledhja urgjente e KS të OKB-së për të diskutuar për sulmin kimik në Siri është thirrur nga disa anëtare të përhershme dhe të përkohshme të KS-OKB-së, në mesin e të cilave Britania e Madhe dhe Franca.
Në sulmin me armë kimike të regjimit të Asadit ndaj vendbanimeve civile në qarkun Duma, e cila është pika e fundit nën kontrollin e opozitarëve në Gutën Lindore, kanë humbur jetën 78 civilë.