Britania e miraton pilulën e parë kundër Covid-19

Prishtinë | 04 Nën 2021 | 12:36 | Nga Ekonomia Online

Rregullatori mjekësor britanik e ka miratuar për përdorim pilulën e parë për trajtimin e rasteve me simptoma të personave të prekur nga Covid-19.

Pilula e quajtur Molnupiravir do t’u jepet dy herë në ditë pacientëve të ndjeshëm, që janë diagnostikuar së fundi me sëmundjen e re.

Gjatë testimit klinik, substanca që fillimisht është zhvilluar për ta trajtuar gripin e uli rrezikun për hospitalizim ose vdekje për rreth 50 për qind, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Sekretari britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid, tha se ilaçi i ri është ndryshues i lojës për pacientët më të ndjeshëm dhe për ata me imunitet të dobësuar.

“Sot është një ditë historike për vendin tonë, pasi Mbretëria e Bashkuar tani është shteti i parë në botë që miraton një substancë anti-virale që mund të merret në shtëpi për Covid”, tha ai përmes një deklarate.

Ilaçi Molnupiravir, i zhvilluar nga kompania amerikane e ilaçeve, “Merck”, është substanca e parë anti-virale orale që i kushtohet trajtimit të Covid-it.

Pilula është zhvilluar në atë mënyrë që të vendosë gabime në kodin gjenetik të virusit, duke ia parandaluar përhapjen në trup.

Të ngjashme