Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka pritur në takim një delegacion të lartëtëpolicisë së Britanisë së Madhe. Në këtë takim ministri Sefaj falënderoi delegacionin për vizitën në Kosovë dhe i njoftoi për rolin e MPB-së, transmeton Ekonomia Online.
Në një komunikatë nga MPB thuhet se ministri Sefaj e njoftoi delegacion policor britanik me strukturën aktuale të Policisë së Kosovës dhe për nivelin e lartë të besueshmërisë që ka policia e Kosovës te qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ministri Sefaj falënderoi Qeverinë e Mbretërisë së Britanisë për mbështetjen që kanë dhënë për institucionet e sigurisë së Kosovës, në veçanti vlerësoi bashkëpunimin e mirë që kanë policitë e të dy vendeve.
“Në këtë takim u konfirmua vazhdimi i mbështetjes së Britanisë së Madhe për Kosovën në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Delegacioni britanik vlerësoi progresin që është arritur në Kosovë, veçanërisht sa i përket Policisë së Kosovës, e cila është profesionale dhe e përgatitur për tu ballafaquar me situata të ndryshme”, thuhet në komunikatë.
Policët britanikë, sipas komunikatës, premtuan se do të vazhdojnë të përkrahin Policinë e Kosovës dhe institucionet e sigurisë në anëtarësim e tyre në organizatat ndërkombëtare të sigurisë.