Britania ka thënë se i konsideron shumë serioze shqetësimet e Shteteve të Bashkuara për teknologjinë e gjigantit kinez, Huawei, ka thënë ministri i Jashtëm britanik, Dominic Raab të hënën.
Britania i ka garantuar kësaj kompanie një rol të kufizuar në rrjetin e telefonave mobilë, duke zemëruar kështu Shtetet e Bashkuara, të cilat tentojnë ta përjashtojnë Huawein nga zhvillimi i gjeneratës së pestë të telekomunikimeve (5G).
“Ekziston një dështim në treg sa u përket kompanive që gëzojnë respekt të lartë në të ofruarit e infrastrukturës së telekomit, prandaj derisa Huawei është një nga shitësit me rrezik të lartë, ne besojmë shumë se kemi të drejtë të aplikojmë regjimin e duhur për ta menaxhuar atë”, u ka thënë Raab gazetarëve gjatë një vizite në Singapor.
Britania ka thënë se përjashtimi i Huaweit nga rrjeti i komunikimeve do të mund të vononte sistemin 5G dhe do ta shtrejtonte këtë shërbim për konsumatorët.
Qeveria amerikane ka shtuar në listë të zezë kompaninë kineze, Huawei vitin e kaluar, duke ndaluar shitjet e produkteve të kësaj kompanie në territorin e Shteteve të Bashkuara, me arsyetimin se përbën rrezik për sigurinë kombëtare.