Ministri i jashtëm britanik, Jeremy Hunt, tha se tensionet në Lindjen e Mesme mund të paraqesë rrezik për ekzistencë për njerëzimin, nëse nuk ruhet marrëveshja bërthamore me Iranin. Ky është paralajmërimi më i drejtpërdrejtë që është bërë që nga eskalimi i krizës para dy muajsh.
Duke folur para mbajtjes së një takimi të Bashkimit Evropian në Bruksel, sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe po përpiqet që ta nxjerrë në pah rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, nga e cila vitin e kaluar u tërhoqën në mënyrë të njëanshme Shtetet e Bashkuara. Tërheqja e ShBA-së e nxiti më vonë edhe largimin e Iranit nga e njëjta marrëveshje.
“Lindja e Mesme tashmë është një ndër rajonet më jostabile në botë, por nëse palët e ndryshme armatosen me armë bërthamore, kjo do të paraqisje rrezik për ekzistencën e njerëzimit. Unë do të bëj gjithçka që është në dorën time për ta parandaluar këtë”, tha shefi i diplomacisë britanike.
Ministri britanik është përpjekur t’i zbusë tensionet, duke premtuar se shteti i tij do ta lirojë një anije të konfiskuar të Iranit në Ngushticën e Gjibraltarit, nëse nafta që ajo po e transportonte nuk dërgohet në Siri. Konfiskimi i anijes është bërë pasi që Bashkimi Evropian e ka ndaluar shitjen e karburanteve në Siri për shkak të krimeve të regjimit të Asadit.
Sidoqoftë, oferta e Britanisë duket se nuk është pranuar nga ministri i jashtëm iranian, Javad Zarif, i cili tha se vendi i tij mund t’ia shesë naftën secilit shtet që dëshiron dhe se konfiskimi i anijes nga autoritetet britanike është piratëri, shkruan “The Guardian”.