Mbretëria e Bashkuar i ka shënuar 180 viktima të reja të koronavirusit, përfshirë një fëmijë 12-vjeçar me gjendje shëndetësore të papublikuar. Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 36,573.
Nga ky numër, 157 raste fatale u shënuan në Angli, 16 në Skoci, gjashtë në Uells dhe një në Irlandën Veriore, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Viktima 12-vjeçare bëhet fëmija i katërt nën moshën 15-vjeçare që vdes nga virusi i ri në vendin ishullor.
Shifra e viktimave është preliminare, sepse përbëhet nga llogaritja e raportimeve nga katër shtetet e Britanisë, ndërsa Departamenti i Shëndetësisë pritet që më vonë ta publikojë numrin zyrtar, që pritet të jetë më i lartë, ngase aty do të përfshihen edhe rastet që kanë ndodhur në shtëpitë e të moshuarve.
Rënia e numrit të rasteve të reja erdhi në kohën kur këshilltari i lartë i kryeministrit Johnson, Dominic Cummings, u akuzua për shkelje të rregullave të izolimit pasi kishte udhëtuar qindra kilometra me veturë.
Britania është në mesin e vendeve më të prekura nga koronavirusi në botë, ndërsa është shteti me më së shumti viktima në Evropë. Pas saj radhiten Italia dhe Spanja.