Brovina mesazh deputetëve: Ndaloni fyerjet dhe akuzat e pabazuara mes vete

Prishtinë | 30 Jan 2019 | 11:09 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, në hapje të sesionit të ri të Kuvendit u ka bërë thirrje deputetëve, politikanëve por edhe medieve e qytetarëve që të kenë kujdes në linçime dhe deklarime fyese pa argumente e bazë ligjore.

“Jo vetëm nga ata që flasin e shkruajnë në media, por edhe nga vetë deputet të këtij Parlamenti, është bërë shprehi të përdoren fjali të rënda kundër njëri tjetrit. Me një lehtësi të padurueshme akuzohen dhe etiketohen si tradhëtar e kriminelë vetëm e vetëm se kanë një mendim ndryshe”.

“Kanë shkuar deri atje sa kanë marrë guxim të bëjnë edhe gjenetikën e tradhtisë. Ky nuk është shembulli i vetëm. Ka me dhjetëra shembuj të kësaj natyre”, tha Brovina.

Njëra ndër deputetet më me përvojë në Kuvendin e Kosovës, Brovina tha se si përfaqësuese e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës, si prind, si aktiviste e hershme për çështjen e Kosovës, ndihet e indinjuar ndaj kësaj mënyre të komunikimit.

“Prandaj u bëj thirrje kolegëve të mi që sot janë këtu, por edhe të gjithë atyre që merren me fjalën publike, të distancohen nga fjalori dhe gjuha e urrejtjes, sepse nëse ka diçka që e rrënon një shoqëri, ajo është mbjellja e urrejtjes, e mosdurimit dhe intrigave të shfrenuara”.

“Qytetarët presin nga ne punë të përbashkët për të mirën e tyre. Presin të gjejmë zgjidhje për hallet dhe problemet e tyre sociale dhe ekonomike”, tha Brovina.

https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/438089846730083/
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme