Aktori Bruce Willis është angazhuar në filmin debutues regjisorial të Randall Emmettit, “Midnight In The Switchgrass”.
Ylli 64-vjeçar i filmit do të luaj në këtë projekt krahas aktorëve, Megan Fox dhe Emile Hirsch, dhe sipas portalit “Deadline” filmi do të distribuohet nga “Highland Film Group” në Tregun e Filmit Evropian, transmeton Koha.net.
Filmi, ngjarja e së cilit zë vend në vitin 2004, do ta rrëfejë historinë e një agjenteje të FBI-s, e portretizuar në film nga Fox dhe një polici nga Florida, i sjellë në ekran nga aktori Hirsch, të cilët bëhen bashkë për t’i zgjedhur disa raste të komplikuara, derisa aktori veteran Willis në këtë projekt e portretizon rolin e agjentit tjetër të FBI-s, njëherësh partneri i personazhit të Megan Foxit.
Randall Emmett i ka prodhuar më shumë se 100 filma në kuadër të kompanisë “Emmett/Furla”, bashkë me partnerin e tij të biznesit, George Furla, në mesin e së cilëve janë edhe filmat “The Irishman” dhe “2 Guns”. Por debutimin e tij si regjisor do ta shënojë me këtë projekt, xhirimet e së cilit pritet të nisin më 9 mars në Puerto Rico.
Furla do të shërbejë në rolin e producentit të filmit, krahas Tim Sullivanit, Alex Eckhertit dhe Luillo Ruizit.
Përmes një postimi të publikuar në Instagram, regjisori Emmett e ka shprehur entuziazmin e tij rreth faktit që, Willis dhe Fox i janë bashkuar filmit, duke thënë: “Më në fund po ndodhë. Jam tej mase falënderues!”.
33-vjeçarja Megan Fox, së fundmi u shfaq me rol krahas aktorit James Franco në filmin “Zeroville”, si dhe në filmin “The Battle of Jangsari”. Që të dyja projektet ishin publikuar në shtator të vitit të kaluar. Ajo po ashtu i ka disa projekte në realizim e sipër, përfshirë këtu filmin aksion “Rogue”, dramën komike “Big Gold Brick dhe komedinë familjare “Dogs Best Friend”.
Ndërsa, Bruce Willis sapo është angazhuar në trillerin fantastiko-shkencor, “Cosmic Sin”, i cili po ashtu do të shitet në Tregun e Filmit Evropian.