Kryeministri serb Millosh Vuçeviq deklaroi dje në Parlamentin e vendit të tij që “Republika e Serbisë nuk e ka pranuar marrëveshjen franko-gjermane”. Ai e potencoi se është i vetëdijshëm që deklarata e tij është publike dhe po regjistrohet. Në një përgjigje për Gazetën Express nga Brukseli zyrtarëve të Serbisë u kërkohen që të mos bëjnë deklarata që vënë në dyshim marrëveshjet.
Një zëdhënës i Komisionit Europian tha për Gazetën Express se Unioni i bën thirrje përfaqësuesve të Serbisë të përmbahen nga këto deklarata që e vënë në dyshim marrëveshjen, ndërsa përsëriti se rruga e Serbisë, ashtu si e Kosovës, për në BE kalon përmes kësaj marrëveshje.
“Siç e kemi thënë shumë herë më parë, Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit është e vlefshme dhe e detyrueshme në tërësinë e saj si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Zbatimi i saj është një pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse europiane, e cila u konfirmua së fundmi përmes përfshirjes së saj në kapitullin 35 të negociatave të pranimit të Serbisë. Nëse progresi në pranimin e saj në BE është vërtet në interesin strategjik të Serbisë, ne ftojmë përfaqësuesit serbë të përmbahen nga deklaratat që vënë në dyshim vlefshmërinë e Marrëveshjes dhe të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre”, tha ky zëdhënës për Express.
Gjithashtu, BE i rikujton Serbisë se marrëveshja është pranuar nga ana e presidentit serb Aleksandar Vuçiq edhe pse nuk është e nënshkruar.
“Për të kujtuar qëndrimin konsistent publik të BE-së, Marrëveshja me aneksin e saj të zbatimit është bërë ligjërisht e detyrueshme përmes deklaratës me shkrim të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së të datës 18 mars 2023. Kjo u pranua nga presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti”.
Sidoqoftë, BE nuk u përgjigj në pyetjen e gazetës nëse do të ketë ndëshkime ndaj Serbisë për mohimin e marrëveshjes.
Kryeministri serb, duke thënë se nuk e kanë pranuar marrëveshjen që doli nga plani frankjo-gjerman, tha se lëvizjet që i bëjnë është për të mbrojtur interesin e Serbisë për të mos u ndëshkuar.
“Edhe njëherë. Po e them shumë qartë. Është duke u incizuar, qoftë në audio, qoftë në transkriptë: Republika e Serbisë nuk e ka pranuar marrëveshjen franko-gjermane. Edhe njëherë, ne nuk e kemi pranuar planin franko-gjerman. Ne nuk e kemi nënshkruar atë dhe ne kemi bërë deklarata përcaktuese dhe e kemi thënë shumë qartë që çdo implikim, implicit ose eksplicit, pavarësia e të ashtuquajturës Kosovë është e papranueshme. Është një vijë e kuqe për Republikën e Serbisë. A mund të flasim? Ne do të flasim. Ne kërkojmë të përdorim çdo hapësirë manovrimi në mënyrë që vendi ynë të mos varroset përsëri pas disa herë në historinë e fundit, që nuk persekutohet, ndëshkohet apo sanksionohet. Kështu që ne të mos humbim diçka të vlefshme, duke mbrojtur diçka që është shumë e vlefshme për qytetarët e Serbisë. Dhe kuptoni pak që ne nuk duhet që gjithmonë të shfaqim kartat tona publikisht, sepse kjo është kundraproduktive për pozicionin e Serbisë”, tha ai.
Deklaratën e tij, të përkthyer në anglisht, e ka shpërndarë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi duke shtruar disa pyetje.
“Kryeministri i Serbisë pyet Përfaqësuesin Special të BE-së dhe Shërbimin e Jashtëm të BE-së: Çfarë tjetër nevojitet për t’ju bindur se për Serbinë nuk ka Marrëveshje Bazike? Se pjesëmarrja e tyre në dialog falsifikohet vetëm për të shmangur sanksionet eventuale? Sa drafte të tjera të planit të sekuencimit na duhen përpara se të zbulojmë të vërtetën për të gjitha shtetet anëtare?”, ka shkruar kryenegociatori Bislimi në X.
Kryeministri Albin Kurti në takimet e fundit që pati në Bruksel vendosi pikërisht kushtin e nënshkrimit të marrëveshjes nga ana e Serbisë dhe tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, për të pasë një takim trilateral ku planifikoheshin diskutimet për zbatimin e marrëveshjes.