BSFK shënon Javën e Imunizimit – Shumica e fëmijëve të komuniteteve të pavaksinuar, madje as kundër fruthit

Fushë-Kosovë | 27 Pri 2023 | 14:18 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë janë shprehur të brengosur për përqindjen e madhe të fëmijëve të paimunizuar, nga radhët e komuniteteve. Në një takim me qytetarë të këtyre komuniteteve në Fushë-Kosovë, u tha se po “injorohet” edhe marrja e vaksinës kundër sëmundjes së fruthit, e cila është tepër ngjitëse dhe mund të ketë pasoja për fëmijët, raporton Ekonomia Online.

Në kuadër të shënimit të Javës Botërore të Imunizimit, organizata “Balkan Sunflowers Kosova” (BSFK) ka organizuar një takim me përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK);
mjekët e Qendrës Kryesore Familjare (QKMF) në Fushë-Kosovë; përfaqësuse të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Të gjithë këta, së bashku me imamin Sead Kelmendi, iu bënë thirrje prindërve të pranishëm në këtë takim, por edhe të tjerëve, që t’i imunizojnë fëmijët.

Ferdane Asllani, nga Balkan Sunflowers Kosova, tha se në bashkëpunim më organizata e tjera për tri vjet janë duke vazhduar kampanjën në lidhje me imunizimin e fëmijëve të komuniteteve.

Ajo tregoi se kanë mbajtur trajnime dhe kanë shpërndarë edhe pako higjienike për këto komunitete.

“Ne jemi duke implementuar projektin në lidhje me imunizimin e fëmijëve të komuniteteve. Është projekt që është duke shkuar tre vite me radhë; kemi bërë kampanjë në 14 komuna… Kemi mbajtur dhe ligjërata për rëndësinë e imunizimit, kemi organizuar ekipe mobile dhe kemi zhvilluar trajnimin e stafit për dixhitalizimin e kartelave të imunizimit”.

“Kemi mbajtur trajnime të ndryshme për ta zbutur situatën. Kanë përfituar edhe disa pako higjienike. Gjitha këto shifra që i kemi janë arritur edhe falë vullnetarëve tanë që i kemi në terren, bashkëpunimet me QKMF-të nëpër komuna”, tha ajo.

Fetije Fetaj nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShKP), tha se është shqetësues që fëmijët e komuniteteve nuk janë të imunizuar. Sipas saj, një pjesë e madhe e tyre nuk janë vaksinuar as me vaksinën e fruthit.

Ajo përmendi llojet e vaksinave që u jepen fëmijëve për t’u imunizuar.

“Me një vaksinë që ia jepni fëmijëve, i mbrojmë nga 10 sëmundje. Shumë shpejt kalendarit do t’i shtohen edhe tri vaksina të tjera. I keni të gjitha mundësitë, që edhe vizita tek mjeku janë të lehta si për komunitete dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. Fruthi, duhet të mbahet mend, fruthi është shumë ngjitës, vaksina është shumë e fuqishme, sipas një studimi mbron 95-97%. Është vaksinë që përdoret me dekada. Sëmundja nuk është e lehtë, sidomos tek fëmijët, përhapet shumë shpejt”.

“Këto të dhëna që i dha drejtori janë shumë shqetësuese. Kemi pasur edhe dy raste të vdekjes. Është për t’u brengosur mosmarrja e vaksinës së fruthit. Vaksinat jepen falas, vijmë edhe nëpër shtëpitë tuaj. Përqindja e vaksinimit është e mirë, por nga komunitete është pak”, tha ajo.

Problem për gjithpërfshirjen e fëmjëve paraqet edhe mosregjistrimi i tyre në regjistrat civilë.

Osman Maxherra, drejtor i QKMF-së në Fushë-Kosovë, tha se imunizimi i fëmijëve të komuniteteve në këtë komuna është shumë i vogël.

Ai u shpreh i shqetësuar sa i përket mosvaksinimit të fëmijëve kundër sëmundjes së fruthit. Maxherra bëri thirrje që prindërit t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

“Gjendja aktuale sa i përket imunizimit përkundër angazhimeve, përkundër një gatishmërie për të bashkëpunuar, i shohim të dhënat se ku jemi me vaksinim. Kur është fjala për komunitete nuk është situata e kënaqshme. Deri në moshe 5-vjeçare i kemi 293 fëmijë më QKMF që i kanë kartelat. E dimë që numri është më i madh dhe nuk kemi një numër të saktë të fëmijëve. Prej këtyre 293 fëmijëve të moshës 5 vjeç, vetëm 67 prej tyre janë vaksinuar për fruth që i bjen vetëm 34%. Ndërsa duhet me qenë të vaksinuar 95% që të mos shpërthej ndonjë epidemi”.

“Është brengosëse numri i vogël i të vaksinuarve nga fruthi. Edhe ato vaksinat e para që merren, diku prej 195 fëmijë vetëm 63 i kanë marrë të trija vaksinat. Mbulushmëria duhet të jetë më e madhe. Kjo është brengosëse dhe mund të na sjellë një problem. Angazhimi ynë nuk ka munguar kurrë dhe nuk do të mungojë”, tha ai.

Mustafë Gashi, kryeshef i QKMF-së në Fushë-Kosovë, tha se si institucion kanë bashkëpunuar në vetëdijesimin për imunizim.

Ai tha se QKMF-ja është e furnizuar me vaksinë rregullisht dhe për këtë arsye ftoi familjarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi.

“Unë mund të konstatoj që bashkëpunimi ka qenë gjithmonë. Ne kemi organizuar në disa raste edhe fushatë për komunitete për rëndësinë e vaksinimit. Është edhe rasti i vitit 2017, asaj katastrofës që ka mundur të ndodhë. Kemi shpëtuar shumë jetë. Për një kohë shumë të shkurtër kemi arritë t’i vaksinojmë fëmijët në atë periudhë. Mirëpo nuk mund të themi që kjo nuk mund të ndodhë më, andaj i ftojë gjithë komunitetin që t’i marrin vaksinat”.

“Për fat të mirë kemi furnizim të mirë me vaksinat, asnjëherë nuk kemi mbetur pa to dhe është keq që ato të mos shfrytëzohen. Pasojat janë shumë të rënda mund të jenë me pasojë deri në vdekje”, tha ai.

Imami Sead Kelmendi bëri thirrje që të bëhet imunizimi i fëmijëve, duke shtuar se edhe në aspektin fetar trupi i njeriut konsiderohet amanet që duhet kujdesur për të, raporton EO.

“Aspektin fetar, Kurani si një burim për besimtarët, është një libër që flet edhe për aspektin shëndetësor. Ka shumë citate kuranore që flasin për ruajtjen e shëndetit. Në aspektin fetar, trupi i njeriut konsiderohet si një amanet që duhet të kujdesemi për të”.

“Një prej formave që ta ruajmë shëndetin është që të ushqehemi në formë të duhur. Edhe ne i bashkohemi kampanjës së mjekëve të nderuar që të bëjmë thirrje për imunizim”, tha ai.

Ky aktivitetet është mbajtur në kuadër të projektit “Rritja e çasjes, mbulueshmërisë dhe kërkesës për programin e imunizimit të rregullt dhe vaksinimit kundër COVID-19 në mesin e komuniteteve
rom, ashkali dhe egjiptian” dhe u mbështetet nga Unicef Kosovo Programme në partneritet me USAID-in në Kosovë.

Të ngjashme