BSPK i reagon qeverisë: Shtrenjtimi i rrymës do të sjell përkeqësim ekonomik

Prishtinë | 18 Jan 2022 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Pas paralajmërimeve për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend, ka reaguar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Në reagim, thuhet se BSPK-ja është ndjerë e shqetësuar me propozimin e KEDS-it drejtuar ZRRE-së, e po ashtu edhe miratimin, sipas tyre, nga ana e qeverisë ndaj këtij propozimi.

“Arsyetimi i KEDS-it se rritja e çmimit të energjisë elektrike është pasojë e ngritjes së çmimit të importit nuk mund të pranohet edhe po të jetë i saktë, dhe krejt kjo se popullata është shtrënguar plotësisht duke iu përkeqësuar gjendja ekonomike e sociale”.

“Edhe të punësuarit, të cilët për shkak të moscaktimit të pagës minimale, po edhe pjesa tjetër e popullatës e cila varet nga ndihmat sociale e edhe tjetra që nuk ka punë e as ndihma sociale do të gjenden në një situatë tejet të vështirë ekonomike e sociale me këtë veprim të pa analizuar e të pamatur mirë”, thuhet në reagimin e BSPK-së, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, në këtë reagim, BSPK-ja thotë se i është drejtuar qeverisë se ka bërë veprim të ngutshëm me miratimin e këtij propozimit, ku sipas tyre, këtij propozimi është dashur t’i kushtohet kohë e analizë profesionale përpara miratimit.

“Besojmë se Qeveria është e vetëdijshme se miratimi i sotëm do të sjellë deri te përkeqësimi dhe rëndimi i mëtejshëm i situatës ekonomike e sociale të qytetarit”, thuhet në reagim.

Të ngjashme