Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës Shukri Buja, është i bindur se në Kuvend do të ndryshojë Projektbuxheti për vitin 2017. Sipas tij, projektbuxheti aktual është elektoral pasi që Qeveria “Mustafa” ka kalkuluar mjaft mirë buxhetin nëpër ato komuna në të cilat dëshiron ta zgjerojë elektoratin e LDK-së, si në Pejë, në Ferizaj, në Gjilan, etj, shkruan sot, gazeta Zëri.
Deputeti i PDK-së, Shukri Buja, pret që Projektbuxheti për vitin 2017 të pësojë ndryshime në amendamentet të cilat pritet t’i bëjnë deputetët, përndryshe, sipas tij, ky projektbuxhet siç është do ta thellojë krizën në Kosovën, për shkak se nuk është një buxhet real, por një buxhet i rritur nga huamarrja.
Ai në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se ky projektbuxhet është shumë i qartë se është elektoral, pasi që, sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa ka kalkuluar mjaft mirë buxhetin nëpër ato komuna në të cilat dëshiron ta zgjerojë elektoratin e LDK-së, si në Pejë, në Ferizaj, në Gjilan, etj.
Buja thotë se me projektbuxhetin aktual Qeveria më së shumti e ka goditur Prishtinën në mosndarje të buxhetit. Ai gjithashtu ka kritikuar kryeministrin Mustafa, si dhe ministrin e Financave Hoti se po bëjnë një lojë politike ndaj veteranëve të luftës. Buja ka thënë se kryeministri Mustafa është dashur tashmë të bindë FMN-në se buxheti i veteranëve nuk mund ta rrezikojë buxhetin e Kosovës. Ai thotë se në kohën e qeverisjes “Thaçi”, kjo e fundit kishte rritur pagat e mësimdhënëseve dhe të mjekëve pavarësisht kritikave që kishte marrë nga FMN-ja.
“Ne kemi bërë buxhetin në përputhje me FMN-në edhe në kohën kur ishte Thaçi kryeministër, i cili i pati rritur edhe rrogat e mësimdhënësve, i pati rritur rrogat e punëtorëve shëndetësorë, në atë kohë pati reaguar Fondi Monetar Ndërkombëtar, por qasja e kryeministrit Thaçi në atë kohë dhe e Qeverisë ishte një bindje e Fondit Monetar Ndërkombëtar se nuk do ta rrezikojë buxhetin. Kështu duhej të vepronte edhe ministri Hoti bashkë me kryeministrin sepse FMN-ja nuk i ka qëndrimet strikte dhe të pandryshueshme. Nuk rrezikon kurrgjë buxheti për veteranët e luftës, por këtu po preken ndjenjat e tyre sepse janë ata që kanë luftuar dhe ata që kanë sakrifikuar për të krijuar shtetin dhe kur i prek me ndjenjat e tyre se po e rrezikojnë, ata tërhiqen. Por, këtu është një lojë politike që po e bëjnë kryeministri me ministrin Hoti ndaj veteranëve”, ka thënë ai.