Bujar Nishani rikthehet në Partinë Demokratike. Pas 5 viteve në kreun e Presidencës, Bujar Nishani do të rikthehet në Partinë Demokratike.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai thotë se tani është momenti që të vazhdojë të kontribuojë në PD, pa pasur poste dhe ofiqe.
“Unë i jam shumë mirënjohës vendit tim dhe qytetareve të vendit tim që kanë investuar gjithë këto vite tek unë. Gjithashtu Partisë Demokratike, që ka investuar politikisht tek unë.
Për këtë jam përpjekur t’ia kthej duke punuar me angazhim maksimal në interes të vendit dhe shtetit. Tashmë është momenti që unë të vazhdoj kontributin dhe shërbimin, por pa shpërblim. Synimi im nuk janë postet dhe ofiqet, por shërbimi e kontributi”- thotë Nishani.
Ai thekson me tej se “Në kulturën time politike dhe civile nuk është e domosdoshme të kesh poste dhe ofiqe që të shërbesh dhe kontribuosh. Mjafton të kesh dëshirën, vullnetin e forcën shpirtërore dhe bëhesh i vlefshëm”.
Sipas Nishanit, mbetet postulat aktual gjithmonë thënia e famshme e Presidentit Kennedy: “Mos pyet çfarë bëri vendi yt për ty, por çfarë bëre ti për vendin tënd”.