Ministri i Punëve të Jashtme i RMV-së, njëherit edhe kryesues i OSBE-së Bujar Osmani, ka reaguar në lidhje me sulmet izraelite mbi Gazan. Osmani në një postim në rrjetet sociale thotë se këto sulme janë akte çnjerëzore.
Osmani ka shkruar se autorët duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi.
“Sulmi në spitalin dhe shkollën në Gaza që si pasojë la qindra viktima civilë është akt çnjerëzor i terrorit për të cilin nuk ka asnjë justifikim. Respektimi i të drejtës ndërkombëtare dhe humanitare është prioritet dhe civilët duhet të mbrohen plotësisht me çdo kusht. Autorët e këtij akti duhet të identifikohen qartë dhe të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, sulmi në spital ku kishte shumë banorë të Gazës që ishin strehuar duke ikur nga bombardimet izraelite, ka nxitur reagime të ashpra në mbarë botën, në veçanti në botën arabe – ku u organizuan protesta para ambasadave izraelite në Turqi dhe Jordani si dhe në afërsi të ambasadës amerikane në Liban.