Bujqësia nuk u kursye nga pandemia, por “Krusha” shtoi punëtorët dhe rriti eksportet

Prishtinë | 09 Jan 2021 | 08:58 | Nga Fitore Berisha

Bujqësia, e cila konsiderohet si një sektor i rëndësishëm për punësimin në Kosovë dhe burimi kryesor i të ardhurave rurale, nuk është kursyer nga kriza që shkaktoi pandemia Covid-19.

Fermerë dhe ndërmarrës ruralë me të cilët bisedoi Ekonomia Online ankohen se ndihma nga institucionet ka munguar, derisa tregojnë se vështirësitë më të mëdha i kanë pasur në fillim të pandemisë – në pranverë, përfshirë pengesat për shitjen e prodhimeve.

E Ministria e Bujqësisë thotë se bujqve iu është kushtuar vëmendje e veçantë në Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike. Kështu, në programin e granteve, të cilin e kanë zgjatur deri në dhjetor të vitit 2021, parashihen 29 milionë euro në përkrahje të bujqve.

Drejtoresha e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, Fahrije Hoti, thotë se sfidat më të mëdha i kanë pasur në muajt e parë të pandemisë, kur produktet e tyre bujqësore nuk janë lejuar të shiten në treg – për shkak të masave të Qeverisë.

“Sa i përket vitit 2020, vështirësitë më të mëdha është se na ka prekur pjesa e pandemisë, sikurse që ka prekur gjithë vendin. Kanë qenë ato sfidat që produktet tona janë vetëm tre muaj në treg dhe nuk kemi mundur të bëjmë stoqe për treg”.

Ajo bën të ditur se janë detyruar të importojnë lëndën e parë, si speca dhe domate, nga Shqipëria.

Sipas Hotit, mbyllja e tregjeve për shkak të pandemisë iu ka shkaktuar humbje. “Kemi pasur humbje sidomos në fillim të pandemisë, në muajin mars, kur kemi pasur dy mauna të përgatitura për eksport, por fatkeqësisht u bllokuan tregjet evropiane dhe tregu në Kosovë. Mirëpo, gradualisht me kalimin e kohës dhe me përkushtimin që bëjmë në kooperativë kemi filluar ta marrim veten”, shprehet Hoti, për EO.

Fahrije Hoti, Kooperativa “Krusha”

Drejtoresha Hoti tregoi se nuk janë ndihmuar qysh moti nga Ministria e Bujqësisë, me arsyetimin se nuk i plotësojnë kriteret; ndërsa kanë marrë një ndihmë të vogël nga Komuna e Rahovecit.

Nga ana tjetër, gratë e Krushës janë duke u ndihmuar përmes një projekti nga Bashkimi Evropian që ka të bëjë me ndërtimin e fabrikës së re, e cila pritet të jetë në dispozicion në shkurt të vitit 2021.

“Fatkeqësisht, ne nuk kemi marrë donacion nga Ministria e Bujqësisë prej 2015-ës për arsye se nuk kemi mbushur kriteret si kooperativë… Shpresojmë në të ardhmen që të aplikojmë dhe t’i përmbushim kriteret, sepse kjo është ajo pikëpyetja e madhe që ne kemi pasur fatin që të kalojmë një projekt nga BE-ja, për ndërtimin e një fabrike të re, në të cilën do të dalim së shpejti. I kemi mbushur kriteret për BE-në dhe Ambasadën Gjermane, në bashkëpunim me organizatën GIZ, e për Ministrinë e Bujqësisë nuk po i mbushim kriteret, sepse me të vërtetë është një veprimtari që lidhet me sektorin e punë me gratë që nuk kanë treg te punës”, shprehet Hoti.

Pavarësisht vështirësive, Hoti thotë se janë duke i rritur kapacitetet e prodhimit dhe cilësinë.

“Çdo vit po rritet kapaciteti i prodhimit dhe këtë vit ka pasur shitje më të mirë. Sa i përket mërgimtarëve që nuk kanë mundur të vijnë gjatë sezonit të verës në Kosovë, atëherë ka qenë tregu i eksportit më i favorshëm për produktet tona. Këtë vit kemi eksportuar edhe në ShBA, Zvicër, Gjermani, Francë, Austri dhe Itali. Produktet më të kërkuara në treg janë ajvari dhe specat me kos që na i kemi si traditë”, thekson Fahrije Hoti.

Ajo tregon se në muajin shkurt planifikojnë të kalojnë në fabrikën e re, pasi aktualisht gjenden në një hapësirë që nuk i plotëson kushtet. “Planet janë që të rritet kapaciteti i prodhimit, të marrim tregje të reja në Evropë dhe ta rrisim numrin e punëtorëve jo vetëm të Krushës, por edhe nga zona të tjera. Planifikojmë që të shtohet numri deri në 100 punëtorë”.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka thënë për Ekonomia Online se bujqve iu është kushtuar vëmendje e veçantë në Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike, e cila është parë si forma më e mirë dhe ligjore në përkrahje të këtij sektori.

Ai tha se vështirësia më e madhe ka qenë gjatë valës së parë të pandemisë, kur ishte edhe koha e të vjelave pranverore dhe kishte mungesë të shitjes së këtyre produkteve.

“Si rezultat i pandemisë, veçanërisht vala e parë me Covid në sezonin e pranverës, kur ishte edhe koha e të vjelave pranverore për një numër të caktuar të kulturave bujqësore, patën mungesë të shitjeve së produkteve të tyre”.

Besian Mustafa, ministër i MBPZhR-së

“Në atë kohë ishte mbyllja e tregjeve, restoranteve, pra e kanaleve të shitjes së këtyre produkteve, prandaj edhe vendosëm që si qeveri të kemi Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike, si forma më e mirë dhe më ligjore për t’i përkrahur bujqit që patën mungesë të shitjes që t’u paguajmë subvencionet dy herë në kuadër të vitit 2020”.

Muajve në vazhdim, sipas tij, edhe bujqit, sikur e tërë shoqëria, janë mësuar që të menaxhojnë edhe pandeminë dhe të gjejnë dhe kanale alternativave të shitjeve së prodhimeve të tyre.

Ministri Mustafa përmendi edhe programin e granteve si ndihmë e drejtpërdrejtë financiare që do të ndihmojë rritjen e prodhimit.

“Këtë vit për shkak të pandemisë kemi vendosur që planin e programit të granteve ta shpallim nga qershori i vitit 2020 deri në dhjetor të vitit 2021, pra për një periudhë 18-muajshe dhe jo 12-muajshe siç ka qenë dhe kjo arrin një vlerë prej 29 milionë eurosh në kuadër të granteve”.

Bujku Orhan Ukaj, të cilin e takojmë derisa lëron arën për ta bërë gati për pranverë, thotë se pandemia ka shkatërruar tregun për shitjen e prodhimeve të tyre bujqësore, ndërsa ankohet se nuk kanë pasur mbështetje nga institucionet e vendit.

“Mjete financiare nuk kemi pasur. Unë kam qenë i interesuar për një serë të vogël. Nuk jam ndalur asnjëherë prej marsit, kam punuar sepse nuk do të kishim as bukë për të ngrënë”.

Orhan Ukaj, bujk

Ai thotë se kanë vështirësi, duke filluar nga mungesa e makinerive, sigurimi i farës dhe plehrave.

“Nuk kemi të ardhura nga askush. Ne kemi qenë të shkatërruar prej luftës dhe kërkojmë me na ndihmu neve bujqve”, tha ai.

Vezire Demaku nga Krusha e Madhe, e cila është e angazhuar në kooperativën “Krusha”, thotë se gjatë pandemisë kanë punuar në shtëpitë e tyre, duke bërë përgatitjen e turshive, gjë të cilën thotë se e bën me qejf.

“Vështirësi nuk kemi pasur gjatë pandemisë, sepse kemi punuar. Nuk është e vështirë për ta bërë këtë punë, sepse e kemi bërë edhe në shtëpitë tona. Kemi konservuar turshitë për familje; e bëjmë edhe ajvarin. E këtu është sasia më e madhe. Unë merrem qe 10 vjet me këtë punë dhe jam e kënaqur me këtë punë”, shtoi Demaku.

Vezire Demaku

Sektori bujqësor kontribuon me 12 për qind në Prodhimin Bruto Vendor (GDP) në Kosovë. Formalisht punëson 5% të të punësuarve të përgjithshëm, dhe është burimi kryesor i të ardhurave rurale dhe i punësimit, sipas të dhënave nga Departamenti i Shërbimeve Këshilluese dhe Teknike, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Kostot e ushqimit marrin rreth 64% të shpenzimeve shtëpiake, kur zbërthehen në bukë dhe drithëra (19%), qumësht, djathë dhe vezë (17%), mish (15%) dhe perime (13%). Importet e bujqësisë tejkalojnë eksportet bujqësore me një diferencë domethënëse, sipas të dhënave zyrtare.

Kosova ka avantazh krahasues në fusha, pemishte dhe bimë nga kopshtaria, gjithashtu dhe bagëti. Derisa këto kanë prodhim potencial të lartë dhe fitim, fermerët vazhdojnë të prodhojnë prodhim me rendiment të ulët, siç janë drithërat, për arsye të sigurisë së ushqimit.

Ekonomia rurale në Kosovë dominohet nga ferma të vogla dhe ndërmarrësi rurale të cilat kanë resurse të kufizuara me të cilat të financojnë zhvillimin dhe modernizimin e tyre.

Buxheti i MBPZhR-së është rreth 4% e Buxhetit të Kosovës. Kurse, zhvillimi rural në nivelin komunal pranon nivel të vogël të financimit.

Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e autorëve/autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo, apo KosovaLive.

Të ngjashme