Federata Sindikale e Bujqve të Kosovës (FSBK) ka mbajtur konferencë për medie në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit”, me fokus korrupsionin në Ministrinë e Bujqësisë, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Federatës Sindikale e Bujqve të Kosovës,Tahir Tahiri, ka deklaruar se Ministria e Bujqësisë ka keqpërdorur dhe shfrytëzuar buxhetin e shtetit, siç tha ai, pasi mungojnë 15 milionë euro .
“Korrupsioni në MBPZHR identifikohet në keqmenaxhim, keqpërdorim, dëmtimin dhe shfrytëzimin e kundërligjshëm të buxhetit të shtetit. Keqpërdorimi dhe vjedhja e parave të dedikuara për grande , subvencione dhe projekte kapitale si dhe shfrytëzimi i buxhetit për qëllime elektorale dhe politike. Buxheti i planifikuar për buxhet për fermer përdoret për punësime të paligjshme, duke u futur në ministri në obligime për vitin 2020 në të cilat mungojnë 15 milionë euro”, tha ai.
Tahiri potencoi se Ministria ka keqpërdorur edhe kredinë e Bankës Botërore duke shfrytëzuar udhëtimet zyrtare si udhëtime turistike dhe për shopping.
“Keqpërdorimi i buxhetit të dedikuar për fermer të ashtuquajtura vizita zyrtare jashtë vendit derisa ato janë turistike, biznesore dhe për shopping. Është keqpërdor kredia e Bankës Botërore rreth 12 milionë euro për punësime 20punëtor dhe avancime të kundërligjshme në ministri”, tha Tahiri, raporton EO.
“Aventura e Presidenti ka bërë që të vendos Ministrinë e bujqësisë në objekt privat me qira 56000. Ende nuk është hartuar programi vjetor për grande dhe subvencione për 2020 e cila është dashur të bëhet para 3-4 muajve”.
Tahiri theksoi se e vetmja shpresë e bujqve është qeveria në ardhje.
Ai kërkoi nga qeveria Kurti të bëjë ndryshime radikale në bujqësi dhe sa më transparente e me dispozita ligjore.
“Një dëm i madh i buxhetit vjen nga keqpërdorimi i automjeteve në 24 orësh. Shpresa e vetme për bujqësinë dhe fermerët është qeveria e re në ardhje, ajo duhet të bëjë ndryshime radikale dhe të marrë vendime të ligjshme dhe transparente”, tha ai, raporton EO.