Buleshkaj thirrje individëve dhe komunitetit të bashkëngjiten në parandalimin e konfliktit të interesit

Prishtinë | 12 Dhj 2024 | 11:56 | Nga Ekonomia Online

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka organizuar aktivitetin me temën “Roli i sinjalizimit në sektorin publik dhe privat – perspektiva praktike e zbatimit të ligjit”, në kuadër të Javës së Integritetit në Kosovë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i APK-së, Ylli Buleshkaj ka thënë se roli i sinjalizimit dhe parandalimi i konfliktit të interesit, përfaqëson një gurthemel në luftën kundër korrupsionit dhe në ndërtimin e një kulture të përgjegjësisë.

“Sinjalizimi është më shumë sesa një mjet ligjor; është një akt guximi dhe përgjegjësie qytetare që e vë në fokus interesin publik mbi atë personal”, tha ai.

Ai ka folur për përvojën  e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit në Sinjalizim. Sipas tij agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka qenë dhe vazhdon të jetë në ballë të zbatimit të mekanizmave të sinjalizimit në Kosovë.

“Gjatë viteve të fundit, ne kemi shtuar burimet tona për të adresuar me efikasitet raportimet dhe për të mbrojtur sinjalizuesit.  Kemi fuqizuar kapacitetet tona njerëzore dhe teknologjike për të trajtuar rastet me profesionalizëm dhe konfidencialitet maksimal.  Kemi dhënë prioritet të veçantë edukimit dhe trajnimit të zyrtarëve përgjegjës për sinjalizim në institucionet publike. Kemi bashkëpunuar me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë për të ndërtuar një mekanizëm funksional dhe të besueshëm për sinjalizuesit. Rezultatet e këtyre përpjekjeve janë evidente. Gjatë vitit të kaluar, kemi parë një rritje të ndjeshme në numrin e rasteve të raportuara dhe kemi trajtuar me sukses një sërë çështjesh të ndërlikuara që kanë ndihmuar në parandalimin e abuzimeve dhe në mbrojtjen e interesit publik”, tha Buleshkaj.

Si shembull konkret, ai ka përmendur një rast të fundit, një sinjalizues nga një institucion publik që raportoi një konflikt të interesit në procesin e prokurimit.

“Falë këtij raportimi, ne arritëm të parandalojmë një dëm të mundshëm financiar për buxhetin e shtetit dhe të rikthim besimin e qytetarëve në procesin institucional. Ky është vetëm një prej shembujve që dëshmon rëndësinë e këtij mekanizmi”, tha Buleshkaj.

Sinjalizimi, sipas tij nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve, por edhe e individëve dhe komunitetit në tërësi.

“Çdo qytetar ka një rol të rëndësishëm në identifikimin dhe raportimin e parregullsive. Suksesi ynë kolektiv varet nga bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat dhe shoqërisë civile. Sot, ju ftoj të gjithëve që të angazhoheni në diskutime produktive dhe të ndani përvojat dhe idetë tuaja. Le të përpiqemi së bashku për të përmirësuar më tej mekanizmat e sinjalizimit dhe për të mbrojtur ata që guxojnë të flasin”, tha Buleshkaj.

Të ngjashme