Buleshkaj: Zyrtarët për trajtimin e rasteve të sinjalizimit, jo gjithmonë kanë përgatitje shkollore e profesionale për këto raste

Prishtinë | 09 Tet 2024 | 12:19 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se kanë pasur raste kur zyrtarët që janë përgjegjës për trajtimin e rasteve të sinjalizimit, jo gjithmonë e kanë pasur përgatitjen shkollore dhe profesionale për të trajtuar ato raste.

Këtë deklarim, Buleshkaj e bëri të mërkurën në tryezën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ku u pulblikua raporti “Përmbushja” e premtimit për sinjalizuesit”,

“Ne besojmë që zyrtarët për trajtimin e rasteve të sinjalizimit është mirë të jenë juristë, por në qoftë se nuk janë juristë, të jenë shumë afër me fushën juridike dhe drejtësisë sepse duhet të zhvillohen hetime administrative, duhet të vijnë me rekomandime të cilat duhet të jenë të zbatueshme. Është shumë vështirë që të vihet deri tek ky perfundim në qoftë se prapavija e zyrtarëve është e një fushe e cila nuk ka të bëjë me drejtësinë apo nuk është të paktën nga shkencat sociale sepse kemi mjaft shumë që janë edhe nga shkencat teknike dhe nga shkencat e tjera”, u shpreh Buleshkaj.

Sipas Buleshkajt, sfidë tjetër që siç tha ai ka qenë në të kaluarën e që vazhdon të jetë ende është ajo se a është në interes të publikut sinjalizimi apo jo.

“Ka mjaft shumë raste kur nuk duket që ka interes publik dhe ato raste duhet të trajtoheh në kuadër qoftë të njësive që merren me çështje disiplinore brenda institucioneve, por ka edhe shumë nga to që mund të jenë edhe të vjetra tashmë që kanë ndodhur më herët”, tha Buleshkaj.

Buleshkaj po ashtu shtoi se Ligji i cili është në fuqi, kur është aprovuar ka qenë mjaft progresiv, por që me nxjerrjen e direktivës për mbrojtjen e sinjalizuesve nga Bashkimi Evropian, tashmë janë edhe disa elemente që duhet të adresohen.

“Për këtë jemi në komunikim me Ministrinë e Drejtësisë për ta parë se si mund të plotësohet apo ndryshohet në mënyrën më të mirë që të jetë edhe i zbatueshëm edhe në linjë të plotë me dirëktivën e Unionit Evropian e sidomos tek ajo që konsiderohet trajtimi i sinjalizuesve, qoftë mbrojtja e tyre psiqike, përfaqësimi apo ndihma që duhet të jetëpet në aspektin ligjor sepse Ligji nuk është që e prek shumë atë”, tha Buleshkaj.

Tutje, shtoi se pajtohet me të gjeturat e raportit të IKD-së, si në atë që sinjalizimi i brendshëm është rruga e duhur e të cilën tha se e preferojnë edhe si Agjenci për shkak që edhe qëllimi i Ligjit është të parandalohen mundësitë për të keqpërdorë funksionet publike.

Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në kuadër të projektit “Përmbushja e premtimit të sinjalizimit – Mbrojtja e të drejtave të qytetarëve dhe parandalimi i korrupsionit”, financuar nga Balkan Trust for Democracy, një projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe USAID, të mërkurën (9 tetor) organizoi tryezë diskutimi, ku u publikua raporti: “Përmbushja” e premtimit për sinjalizuesit”. 

Të ngjashme