Bullgaria do ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në integrim e saj në Bashkimin Evropian, por jo në llogari të historisë dhe identitetit bullgar, ka deklaruar presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, në një takim me përfaqësuesit e vendit të tij, anëtarë të komisionit të përfshirë në bisedimet me palën maqedonase, për dallimet historike.
“Përparimi në punën e komisioneve është kriter bazë për përmbushjen e Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë. Takimi i fundit i komisionit ka ngecur për shkak të procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Muaj i ardhshëm mund të jetë vendimtar në marrëdhëniet tona…Nëse ju jepni garanci se për një muaj komisioni mund të zgjidhë të gjitha kontestet, atëherë Qeveria bullgare mund të vazhdojë me politikën e mbështetjes pa kushte të anëtarësimit të këtij vendi në BE. Por, nëse nuk mund të jepet një garanci e tillë, atëherë qeveria duhet të ndërmerr masa konkrete dhe një pozicion të ri, për kritere të qarta për mbrojtjen e interesit nacional bullgar”, transmetojnë mediat në Shkup deklaratën e presidentit bullgar, Rumen Radev.
Dy shtetet, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria më 1 gusht të vitit 2017, arritën një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por zbatimi i saj ende nuk është arritur për shkak të dallimeve mes dy vendeve për prejardhjen etnike të disa personaliteteve nga e kaluara.
Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike, nuk besojnë se Bullgaria do të mund të paraqitet pengesë e re në rrugën e integrimit evropian të vendit.
Analisti, Albert Musliu, thotë se deklarata e kreut të shtetit bullgar, më tepër është politike se sa një kërcënim real. Por, Musliu thotë se zyrtarët maqedonas duhet të kenë kujdes në prononcimet e tyre, që të mos e provokojnë palën bullgare sa i përket ngjarjeve të kaluar historike.
“Unë nuk besoj se vendi, obstruksionin më të madh gjatë integrimit evropian dhe nisjen e bisedimeve, do ta ketë nga Bullgaria. Por, gjithsesi se kjo deklaratë është një mesazh për politikanët maqedonas që gjatë bërjes së politikës së brendshme, të jenë të kujdesshëm se si shprehen”, thotë Musliu
Ai është optimist se Maqedonia e Veriut do të marrë datën për nisjen e bisedimeve, ndërkohë që do të jetë edhe një obligim shumë i madh për institucionet dhe shtetin në përgjithësi, për përmbushjen e të gjitha kritereve që dalin nga procesi për anëtarësim.
“Lidhur me datën për nisjen e bisedimeve, mendoj se pesha më e madhe ka të bëjë me qëndrimet e Francës, Holandës, por sinjalet e fundit, veçanërisht deklarata e presidentit (të Francës, Emmanuel) Macron më bëjnë optimist se gjasat janë reale që të marrim datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim”, thekson Musliu.
Por, Simonida Kacarska nga Instituti për Politika Evropiane, nuk e përjashton mundësinë që krahas zhvillimeve brenda Bashkimit Evropian, në datën e nisjes së bisedimeve të ndikojnë edhe çështjen e gjyqësorit, siç është rasti “Reketi”, mosarritja ende e marrëveshjes për Ligjin e prokurorisë e kështu me radhë.
“Pra shtetet anëtare kanë parasysh llogaritë e tyre dhe qëndrimet në raport me këtë çështje. Siç e dimë Franca tani një kohë të gjatë flet për atë se duhet të shqyrtohet mirë zgjerimi së bashku me çështjen e reformave brenda BE-së. Ky është një qëndrim i saj, ndaj të cilit ne nuk mund të bëjmë asgjë. Se sa do të arrijmë që deri në tetor të ofrojmë argumente në favor të marrjes së datës, mbetet të shihet”, thotë Kacarska.
Ndërkohë, përfaqësuesi amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se SHBA-ja shpreson se Këshilli Evropian më 16 tetor do të sjellë vendimin për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut.
“Partnerëve evropianë i kemi përcjell qartë pozicionin tonë se fillimi i bisedime për anëtarësim do të ishte një vendim shumë i dobishëm”, ka thënë Palmer.