Bundestagu gjerman kërkon bursistë nga Kosova

Prishtinë | 23 Qer 2016 | 12:57 | Nga

Për Bursën Ndërkombëtare të Parlamentit gjerman mund të konkurrojnë të gjithë ata që kanë njohuri shumë të mira të gjuhës gjermane, janë të interesuar për politikë dhe tanimë i keni përfunduar studimet.

Dokumentet e plota të aplikimit mund të dorëzohen deri më 30 qershor 2016 në Ambasadën Gjermane në Prishtinë.

Që prej njëzet e pesë viteve, Bundestagu gjerman ofron programin e titulluar „Bursa Ndërkombëtare e Parlamentit (IPS)“, në kuadër të të cilit të rinjve nga e gjithë bota u ofrohet mundësia që të njihen për së afërmi me punën e Parlamentit Gjerman.

Edhe këtë vit, kandidateve dhe kandidatëve nga Kosova do t’u jepet mundësia të fitojnë një nga bursat e lakmuara për këtë program.

Bundestagu Gjerman, bashkë me tri universitetet e Berlinit, u jep mundësi rreth 120 të rinjve nga gjithsej 41 vende, të cilët janë të interesuar në politikë, që të njihen me proceset vendimmarrëse politike dhe të fitojnë përvojë praktike në fushën e punës parlamentare, tha për Radio Kosovën Referenti i Ambasadës, Marten Menger.

“Për Bursën Ndërkombëtare të Parlamentit gjerman mund të konkurrojnë të gjithë ata që kanë njohuri shumë të mira të gjuhës gjermane, janë të interesuar në politikë dhe tanimë i keni përfunduar studimet”, shton ai.

“Në kuadër të këtij stazhi, bursistet dhe bursistët do të njihen me detyrat e ndryshme të zyrës së një deputeti. Programi IPS zgjatë gjithsej pesë muaj: nga 1 marsi 2017 deri më 31 korrik 2017 dhe përbëhet nga veprimtari të ndryshme, seminare dhe një stazh praktik, gjatë të cilit bursistet dhe bursistët do të ndjekin nga afër punën e një deputeti të Bundestagut”, sqaron zyrtari i ambasadës Marten Manger.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet bashkëpunimit aktiv – kjo përfshin hartimin e ekspertizave, përpilimin e fjalimeve, shkrimeve dhe letrave, përgatitjen e mbledhjeve si dhe kryerjen e detyrave të tjera të sekretariatit. Përpos kësaj bursistet dhe bursistët do t’i shoqërojnë deputetët e tyre në seancën parlamentare dhe do të shohin, se si zhvillohen procedurat në parlament, thotë ai.

Pjesëmarrësit e programit do të jenë të regjistruar si studentë të Universitetit të Humboldt-it në Berlin, dhe rrjedhimisht do të mund të ndjekin edhe aktivitetet arsimore (ligjëratat etj.) të këtij universiteti.

Përpos kësaj, bursistet dhe bursistët do ta kenë mundësinë që të marrin pjesë në seminare studimi të fondacioneve politike, nëpërmjet të cilëve do t’u jepet mundësia të krijojnë përshtypje për jetën politike, ekonomike e kulturore të Republikës Federale të Gjermanisë.

Qëllimi i programit është zhvillimi dhe forcimi i mëtutjeshëm i marrëdhënieve të Gjermanisë me shtetet pjesëmarrëse. Për më tepër, nëpërmjet këtij programi nxitet kuptimi reciprok dhe bashkëpunimi ndërmjet pjesëmarrëseve dhe pjesëmarrësve të kulturave të ndryshme, thotë Marten.

Dren Ajeti, është njëri prej këtyre bursistëve që ka pasur fatin të ndjek praktikën tek një deputet gjerman në vitin 2014. Ai i tha Radio Kosovës se kjo bursë në Kosovë jepet që nga viti 2007 në Bundestag dhe se deri më tani ka pasur tetëmbëdhjetë bursistë nga Kosova.

Në vitin 2016 janë tre pjesëmarrës nga Kosova, pjesë e programit, bën të ditur Ajeti.

Ai thotë se vetë ka përfituar shumë nga kjo burse dhe përvoja pesëmujore në Bundestag dhe inkurajon të gjithë ata që kanë interesim të konkurrojnë deri më 30 qershor.

Për Bursën Ndërkombëtare të Parlamentit gjerman mund të konkurrojnë të gjithë ata që kanë njohuri shumë të mira të gjuhës gjermane, janë të interesuar në politikë dhe tanimë i keni përfunduar studimet.

Dokumentet e plota të aplikimit mund të dorëzohen deri më 30 qershor 2016 në Ambasadën Gjermane në Prishtinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme