Albert Bunjaki do të lirojë postin e trajnerit te përfaqësuesja e Kosovës pas dy ndeshjeve të fundit eliminatore për Botërorin 2018, që luhen muajin e ardhshëm.
Largimin e tij nga përfaqësuesja e kanë kërkuar shumë: lojtarë, tifozë e trajnerë shkaku i rezultateve të dobëta (7 humbje e 1 barazim). Por, Bunjaki pritet të jetë pjesë e përfaqësueses edhe në ciklin eliminator për “Euro 2020”, shkruan sot Koha Ditore.
Bunjaki në një intervistë dhënë gazetës ka njoftuar se ka ofertë nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) që të marrë postin e drejtorit sportiv të përfaqësueses. Ai ka lënë të hapur mundësinë ta pranojë rolin e ri, nëse, siç ka thënë ai, ka interes të vërtetë nga FFK-ja, por edhe nëse i ofrohen kushte optimale për punë.
“Edhe unë, por edhe Federata kemi lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim. Edhe posti i drejtorit sportiv të përfaqësueses është në ofertë dhe nëse Federata e sheh të arsyeshme dhe më ofrohen kushte optimale për punë, mund të vazhdojë bashkëpunimin”, ka thënë Bunjaki të hënën.
“Por, do të shikojë edhe mundësitë e tjera personale. E di që ka interesim edhe nga vendet e tjera, por pa pasur diçka konkrete nuk mund të them asgjë. Jam i hapur për gjitha vendet e botës nëse është diçka atraktive për mua dhe ka mundësi për punë të mirë”, ka thënë ai.