Gjykata e Vlorës ka vendosur masën arrest me burg për Mihal Kokëdhimën, pronari i lokalit në Porto Palermo ku ndodhi incidenti i rëndë më turistët spanjoll.
Ndaj 55 vjeçarit Kokdhima, rëndojnë akuzat për kanosje, shkatërrim i pronës, dhe dëmtime me dashje. Këto tre akuza i janë komunikuar nga prokurori Saimir Smaka përpara gjykatëses Esmeralda Habilaj, shkruan Top Channel, transmeton Klan Kosova.
Mihal Kokdhima është arrestuar nga policia dy ditë më parë, pas ngjarjes së rëndë dhe të paprecendentë me një grup turistësh spanjoll të cilët drekuan në restorantin e tij.
Të gjithë turistët kanë dhënë përpara policisë së Sarandës dëshmitë e tyre për incidentin.
Po ashtu ata i kanë dorëzuar oficerëve të policisë gjyqësore, një video disa minutëshe ku është filmuar Mihal Kokdhima mbi kofanon e makinës së tyre.
Janë këto pamje të cilat e kanë ndihmuar policinë të kenë në dorë një provë të fortë për veprimet e dhunshme të Mihal Kokdhimës.
Ndërkohë nga hetimet paraprake rezulton se ky restorant në Porto Palermo, rezulton të jetë pa leje.
Sakaq pavarësisht tentativës së Bashkisë së Himarës për ta shembur në vitin 2012 si objekt pa leje nga autoritetet, biznesi vijon të ushtrojë aktivitetin për vite me radhë mbi pronë publike, teksa aktualisht ndodhet në proces legalizimi.