Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, edhe njëherë është marrë me Kosovën. Ai kësaj radhe ka deklaruar se burgu i Scheveningenit në Hagë, është duke u përgatitur për të akuzuarit e parë nga Gjykata Speciale e Kosovës.
Sipas ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, i tëri kati i burgut të Scheveningenit është duke u bërë gati të pranojë të akuzuarit e parë, për siç pretendon ai krimet e kryera në Kosovë nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruajnë mediat serbe.
Duke mos dashur të përmend emra se kush mund të përfundojë në këtë burg, Daçiq ka thënë se është e rëndësishme që Gjykata Speciale për krimet e pretenduara të UÇK-së më në fund do të fillojë punën dhe se së shpejti pritet të ndodhin arrestimet e para.
“Dymbëdhjetë qeli të burgut të Scheveningenit janë zbrazur, që konfirmon se Gjykata do të fillojë punën e saj, dhe t’i sjell para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer krime ndaj serbëve në Kosovë”, ka shtuar Daçiq.