Politikanët dhe burrështetasit nuk janë aty për të bërë vetëm çka i pëlqen popullit, por para së gjithash dhe në radhë të parë duhet bërë çka i duhet popullit
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës është nga anëtarësimet shumë të rëndësishme, krahas anëtarësimit në OKB dhe BE, e ku këto dy të fundit janë larg në horizont.
E kemi thënë që me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) përveç se do të forcohet subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës, fusha e të drejtave të njeriut dhe vet qytetarët do të jenë përfituesit më të mëdhenj, për faktin se do të mund t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), pasi t’i kenë shteruar mundësitë brenda sistemit tonë gjyqësor.
Pra, anëtarësimi në KiE është tejet i rëndësishëm, por në rrethana të tilla edhe momentumin është mirë të lexohet drejt dhe korrekt, të qenët e Rusisë jashtë këtij mekanizmi, është një momentum i favorshëm pa dyshim.
Kushti shtesë- hapa konkretë për asiciacionin
I drejtë apo jo i drejtë është çështje që ka hapësirë për debat, por a mund të shmanget një gjë, natyrisht se jo, është obligim, përveç se me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, është obligim ndërkombëtar themelimi i këtij mekanizmi, po ashtu edhe zotim institucional i Kosovës, pra siç thotë populli “veç vonim se s’ka pshtim kjo punë”. Pra herët ose vonë ky mekanizëm (Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe) do të themelohet, s’ka alternative, mund të ketë vonesa.
A kemi marrë mësim nga liberalizimi i vizave
Nga kërkesat jo të pakta të aleatëve të Kosovës, ishte edhe demarkimi i kufirit të Kosovës me Malin e Zi, i cili kërkohen me ngulmë të miratohej dhe në kundër vlerë, Kosovës ju premtuan liberalizimi i vizave, proces i cili u stërzgjatë, për 6 vite, për këto vite qytetarët e Kosovës vazhduan të mbeten të izoluar, edhe demarkimi u bë, por me gjasë ne nuk kemi marrë mësim nga ky proces.
Politikanët dhe burrështetasit nuk janë aty për të bërë vetëm çka i pëlqen popullit, por para së gjithash dhe në radhë të parë duhet bërë çka i duhet popullit, e në këtë drejtim, marrja mësim nga proceset e kaluar, ku kemi dalë siç thotë populli “edhe të fikun edhe të koritun”, ngase nuk reflektuam në raport me kërkesat e aleatëve tanë, rezultoi me 6 vite shtesë izolim.
Andaj duhet reflektuar në raport me kërkesat, që të mos ikën momentumi, që të mos vijmë në situatë kur edhe do të kryhet obligimi/zotimi edhe të mos dalim as minimalisht serioz, e mbi të gjitha të mos ju mundësohet (shtyhet me vite) qytetarëve të vendit qasja në GJEDNJ.