Alban Krasniqi, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe bashkëshort i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu po merr pjesë në prezantimin e draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nga ana e organizatës gjermane, Friedrich-Ebert-Stiftung.
“Është çudi… Një fondacion i tillë ka zgjedhur një temë të tillë që nuk i shkon për shtati”, tha ai pasi e mori fjalën.
Krasniqi tha se është dashur që ky fondacion “t’i trajtojë të gjitha marrëveshjet” e arritura deri më tani mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, nëse aplikohet propozimi i FES-it, shkelen “tri ligje së paku”, dhe shtoi se kjo “nuk besoj që do të ndodhë”, raporton Gazeta Express.
“E vërteta është që tri ligje së paku duhet të ndryshohen – dhe unë nuk besoj që do të ndodhë një gjë e tillë – që ky propozim të jetë i realizueshëm. Pa i përmendur aspektet tjera”, tha ai.
Krasniqi tha se në këtë mënyrë po “përkëdhelet” komuniteti serb në Kosovë.
“Qysh dikush që nuk i ka zbatu deri më tani dhe s’i ka respektu aktet normative, të përkëdhelet që në njëfarë mënyre t’u jepen të drejtat që rrezikojnë edhe bazamentin, themelin mbi të cilin është ngritur shteti i Kosovës”, tha ai.