Burri në Pejë e përcjellë gruan dhe e kërcënon: Kom me t’mbytë me thikë kur të kthehesh

Prishtinë | 04 Pri 2024 | 15:56 | Nga Ekonomia Online

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së djeshme edhe një grua nga Peja, e cila e ka raportuar bashkëshortin e saj për dhunë e kanosje.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se viktima ka deklaruar se burri i saj ka ushtruar dhunë psikike dhe e ka kërcënuar seriozisht, duke e përcjellë në rrugë.

Sinjali mëson se i dyshuari e ka paralajmëruar gruan se “kom me t’mbytë me thikë kur të vjen në shtëpi”.

Përballë kësaj situate, e shqetësuar dhe frikësuar se mund t’i ndodhë diçka më e keqe, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë dëshminë e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit ndaj të dyshuarit dhe inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”.

Të ngjashme