Bushati: Në dialogun Kosovë – Serbi së pari duhet bërë bilanci i arritjeve dhe dështimeve

Prishtinë | 19 Jan 2019 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka nxjerr bilancin e punës së tij për pesë vjet në krye të diplomacisë shqiptare, duke qenë personi që ka mbajtur më së gjati këtë pozitë që kur Shqipëria e njeh demokracinë.

Në një intervistë për Albanian Daily News, Bushati ka thënë se qershori i 2019-ës është një stacion shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët në përgjithësi.

Ka folur gjatë edhe për dialogun e Kosovës me Serbinë. Bushati ka thënë se “në radhë të parë, nevojitet bërja e një inventari të arritjeve dhe dështimeve të procesit të dialogut Serbi-Kosovë, për t’i krijuar mundësi opinionit publik dhe politik-bërësve të kuptojnë se sa realisht janë normalizuar sot marrëdhëniet mes dy vendeve”.

“Në gjykimin tim, ka pasur hapa pozitivë përpara, sikundër ka pasur raste kur dialogu ka ngecur, apo angazhimet e marra në letër nuk kanë sjellë efektet e pritshme në praktikë”, ka thënë Bushati.

Ish-kryediplomati ka thënë se “nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, shpallja e pavarësisë së Kosovës, vendimmarrja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë – që është gardiani, autoriteti numër Një i interpretimit të së drejtës ndërkombëtare – janë përgjigja më e mirë për këdo që tenton ta shohë këtë çështje thjesht dhe vetëm nga prizmi i njohjes eventuale të Kosovës nga ana e Serbisë”.

Kur ka folur për normalizimin e marrëdhënieve, Bushati ka thënë se ai duhet të jetë i dyanshëm, pavarësisht fuqisë.

“Sot për sot, mungon analiza se sa i ka shërbyer ky proces qytetarëve, qoftë nga pikëpamja e lëvizshmërisë, apo nga zhvillimi i marrëdhënieve shoqërore dhe ekonomike”, ka thënë Bushati.

Më tej, sipas tij, procesi i normalizimit do të duhej të pasohet edhe me procesin e pajtimit, duke qenë se Serbia dhe Kosova kanë në histori të përgjakshme.

“Shpresoj që ky do të jetë edhe një proces që do hapë dritën e gjelbër për të dyja vendet, për të qenë pjesë e familjes evropiane”, ka thënë Bushati.

Bushati jep disa mendime dhe konkluzione mbi atë se çfarë e pret Shqipërinë dhe rajonin në të ardhmen e afërt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme