Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati theksoi se Shqipëria duhet ta shohë Serbinë me sytë e Kosovës. Gjatë intervistës për “Real Story”, i pyetur nga gazetari Sokol Balla për përplasjet mes Tiranës dhe Prishtinës, ai tha se duhet të ketë një shtensionim dhe bashkërendim të marrëdhënieve.
“Së pari, në rast se i referohemi marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera sepse flasim për një komb dhe s’ka ndonjë barrierë në mes në kuptimin njerëzor, ekonomik dhe të shkëmbimeve. Pra, s’duhet të barazojmë politikën me marrëdhëniet që janë mes nesh. Kjo është e rëndësishme ndërkohë mendoj që ka nevojë për një shtensionim dhe bashkërendim kapilar të marrëdhënieve zyrtare. Në radhë të parë mes Shqipërisë dhe Kosovës, Tiranës dhe Prishtinës. Shqipëria është shtet i pavarur që në 1912, ka qasje në disa organizata ndërkombëtare në të cilat Kosova nuk është prezente. Shqipëria për fatin e madh nuk kanë qenë pjesë e ish-Jugosllavinë. Marrëdhëniet tona me Serbinë më tepër janë shenjuar nga mënyra se si janë trajtuar shqiptarët në ish-Jugosllavi dhe në këtë kontekst, ne nuk e njohim Serbinë përveçse me sytë e Kosovës. Duhet të jemi vigjilent, që Serbinë sapo përpiqemi të kultivojmë raporte normale dhe duhet të përpiqemi, duhet ta shohim me sytë e Kosovës.”, u shpreh Bushati.
Ish ministri i Jashtëm u ndal edhe tek rezoluta e parlamentit shqiptar, e miratuar pak ditë më parë, që dënon sulmin serb në Banjskë të Zveçanit, duke thënë se priste që priste të përcaktoheshin disa detyra. Bushati thotë se Shqipëria duhet të kërkojë një hetim në Këshillin e Evropës për këtë sulm.
“Shqipëria duhet të bëjë detyrat e saj. Miratoi një rezolutë, nuk më erdhi mirë që na u desh dy javë për të thënë se jemi dakord me parlamentin e Kosovës ndërkohë që në një orë e gjithë klasa politike u bashkua në dënimin e sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. Pra, me gjithë respektin për Shqipërinë, ne kemi një rol modest në Lindje të Mesme, roli kryesor është në rajon. Prisja një rezolutë ku parlamenti i përcaktonte detyra vetes dhe qeverisë. Atëherë Shqipëria duhet të mobilizohet për të shkuar në Këshillin e Evropës dhe për të kërkuar hetim për këtë çështje, për të pasur një reporter ndërkombëtar. Shqipëria ka disa detyra që burojnë nga shteti amë“, shtoi ish ministri.
Sa i përket moskoordinimit të Prishtinës zyrtare me qeverinë e Shqipërisë për çështje të rëndësishme, Bushati shtoi: “Në drejtim të Prishtinës, mendoj se dera e parë e Prishtinës ka qenë, është dhe do të jetë Tirana për çdo gjë. Ka ndodhur edhe në kohën kur kam qenë në qeveri që kishte kërkesa që Prishtina zyrtare bënte drejt institucioneve zyrtare pa koordinim me Tiranën. E kam menduar atëherë dhe vazhdoj ta mendoj edhe sot. Natyrisht që Shqipëria nuk zëvendëson as SHBA, Gjermaninë, Britaninë apo Francën. Duhet të jenë dy mekanizma që duhet të funksionojnë si orët zvicerane nëse duam të kemi një efektivitet. Dhe nga ky mekanizëm varet se si operon faktori shqiptar në Ballkanin Perëndimor”.