Shakespeare thotë se komedia nuk është asgjë tjetër, përveç tragjedia plus koha. Në rastin tonë kjo rregull nuk vlen. Ne jemi komik aty-për-aty, pa pasur nevojë që të kalojë asnjë ditë kohë.
Në një dimër të acartë, një plakë shkon për ta marrë një krah dru diku në fund të oborrit. Ulet para cungut, e ngjesh krahun mirë me dru dhe bën të çohet. Pesha e rëndë e druve, në njërën anë, mosha në anën tjetër, e tradhtojnë plakën.
Provon të drejtohet, por e humb drejtpeshimin, duke rënë me mender-jush, në borë. Në dëshpërim e sipër, e ulur siç ishte, në vend që ta lironte krahun prej peshës, duke i hequr ca dru, që ta kishte më të lehtë ngritjen, ajo fillon e bën veprime irracionale. I vë edhe ca të tjera në krah, duke e bërë misionin edhe më të pamundur
Pak a shumë kështu e shoh Kosovën, gjithë këto muajt e fundit, e ndoshta vitet – që prej shpalljes së pavarësisë.
Provojmë ta zgjidhim një problem, si bie fjala demarkacioni. E gjithë shoqëria hidhet për muaj të tërë në këtë temë. I qasemi prej të gjitha këndeve dhe perspektivave. Formohen komisione kombëtare dhe ndërkombëtare. Debat pas debati, e protestë pas proteste. Lëshohemi edhe në nivele kanunesh, e të drejtash zakonore. I pyesim pleqtë në Rugovë, e pleqtë në Akademi të Shkencave.
Në fund të procesit, dalim shumë më të përçarë, shumë më armiqësor, shumë më të gatshëm për t’u vrarë me njëri-tjetrin, se sa në fillim të tij.
Halabakët e Pronto aferës, tash në cilësi të deputetëve, i dëgjon duke ligjëruar për padrejtësi historike ndaj popullit shqiptar, ndërsa janë ata që i kanë bërë padrejtësi kaq të madhe këtij populli tash e 10 vjet. Trimat e LDK’së, që kur ishte koha për të mbrojtur territoret e Kosovës hipën përpara fëmijëve dhe plakave në tren për në Shkup, tash hapareshen në foltore të Kuvendit të Kosovës. Flasin për një parti që gjoja mbroka interesant nacionale të vendit, me çdo kusht. Këto interesa, kjo parti, nuk i kishte mbrojtur as atëherë kur vërtet pritej të mbroheshin.
Sido që të jetë, iku edhe kjo gjë. Pas një përleshje të gjatë, ku edhe më tutje nuk dihet fituesi, por dihet humbësi, shoqëria, ose institucionet, vendosën të përfshihen në ethet e një teme tjetër, po aq të rëndë dhe të rëndësishme sa edhe demarkacioni.
Ne që nuk arritëm ta zgjidhim demarkacionin, thamë të sprovohemi pak tek ushtria. Ndoshta këtu dalim të suksesshëm.
Nëse flasim me gjuhën e plakës: me krahun plot dru, të rënë me të pasme në borë, në vend që t’i heqim, i ngarkuam edhe ca të tjera.
Epo shumë mirë. Le të pret pak demarkacioni, e bashkë më të edhe vizat, e bashkë me vizat edhe banorët, sepse nuk kemi tokë për të falur.
Sa më shumë që i përsëritim këto marrëzi, aq më shumë besojmë në to, e kur fillojmë të besojmë ne to, atëherë edhe bëhemi nervoz.
Në këtë situatë të komplikuar politiko – shoqërore, Presidenti Thaçi vendos ta krosojë topin në një zonë tjetër, të ngjeshur me lojtarë ekipesh të ndryshme.
Topin, e menduar për të, Veseli e pranon me gjoks, duke ia lëshuar para këmbëve Kryeministrit Mustafa, i cili është vetëm për vetëm me portën. Fatkeqësisht mendon që është në pozitë jashtë loje, edhe pse referi anësor nuk e kishte ngritur flamurin. E kishte ngritur vetëm deri në njëfarë mase, sa për ta defokusuar Mustafën.
Prapë nga e para.
Ndarjet që ekzistonin te demarkacioni, ruhen edhe te ushtria, plus lindin edhe ca të tjera. Nëse për demarkacionin qëndrimi i serbëve ishte neutral me nuanca negative, te ushtria ata janë negativ agresiv. Bashkësia ndërkombëtare, në anën tjetër, e bën edhe më simpatike gjithë situatën. Komunikatat e tyre janë kafkeske. Në pjesën e parë të reagimeve të tyre me shkrim ata thonë se Kosova ka të drejtë të bëjë ushtrinë e saj, sepse Kosova është shtet i pavarur dhe dërdëllitje të tjera. Pastaj vjen pjesa e dytë e komunikatës – që Kosova ka të drejtë, por jo për momentin.
Ose, te kthehemi edhe njëherë te pasimi i Presidentit Thaçi. Sipas ndërkombëtarëve, Thaçi bëri mirë që e pasoi topin, e as Mustafa nuk ishte në pozitë jashtë loje, pra kishte të drejtë të shënonte në portën e zbraztë.
POR.
Por, çfarë?
Ka zgjedhje në Serbi. Në Maqedoni situata është e brishtë. Në Shqipëri opozita është nën çadër. Ka zgjedhje në Francë, referendum në Turqi, e prapë zgjedhje në Gjermani. Sigurisht ka edhe zhvillime të tjera botërore, që ndoshta nëse tregohemi veç pak të kujdesshëm, do të mund t’i lidhnim me Kosovën.
Pastaj e kemi opozitën, një pjesë e të cilës pajtohet me një pjesë të qeverisë për një çështje, si bie fjala AAK dhe PDK për ushtrinë. E kemi Vetëvendosjen, AAK’në dhe një pjesë të LDK’së dhe një pjesë edhe më t vogël të PDK’së, që pajtohen për demarkacionin, por nuk pajtohen për ushtrinë.
Pra, pikë e pesë.
Derisa ne po flasim për këto dy tema, duke mos i dhënë rrugë asnjërës, si një kufomë, që tash po kutërbon me të madhe, po qëndron në mes të sallonit Tribunali Special.
Ka të tillë që mendojnë së dy temat e mësipërme janë viktima të temës së fundit. Kjo nuk mund të shpjegohet racionalisht, sepse disa tema mund të shpjegohen vetëm deri në një nivel, por asnjëherë deri në fund. Ngjashëm është edhe në këtë rast.
Vrojtuesit e pavarur thonë se përmes destabilizimit të Kosovës, me demarkacion, e tash më ushtri, PDK, dhe Presidenti Thaçi, po dëshirojnë ta dëshmojnë fuqinë e tyre destruktive para bashkësisë ndërkombëtare, të cilët një ditë do të thonë se “nuk po e akuzojmë Thaçin për krime të luftës, sepse pa të, situata do të eskalojë”.
Cila situatë dhe cili eskalim? A nuk është tashmë situata e eskaluar? Unë po të isha “zyrtar ndërkombëtar”, edhe këta janë qenie shumë atraktive, do të mendoja që duke e spostuar Thaçin për një kohë nga jeta aktive politike, gjendja fillimisht ndoshta do të eskalonte, e pastaj do të deeskalonte.
Sikur për dy temat e mësipërme, as për Tribunalin, askush me askënd nuk pajtohet. PDK, nga ana e saj, formalisht pajtohet me Tribunalin, madje edhe e kanë votuar, por përmes mekanizmave joformal, siç janë veteranët e UÇK’së, vazhdojnë t’i fusin shkopinj në rrotë këtij procesi. AAK, nga ana e saj, duke mos e pas votuar themelimin e Tribunalit, tash, me të drejtë thotë, se kjo është çështje e mbyllur. Vetëvendosje nuk e di çfarë thotë.
Unë po të kisha mundësi, kur hapën temat e mëdha, do t’i thosha Vetëvendosjes që t’i bëjnë të ditura opinionet e tyre përpara të gjithëve. Ndoshta vetëm atëherë do të ishin të sinqertë. Përndryshe nëse PDK flet e para, atëherë është shumë i qartë pozicionimi i tyre.
Kurse LDK, edhe për temën e Tribunalit Special, është shumë konsistente. As nuk pajtohet krejtësisht, e as nuk është kundër krejtësisht. Është e supozueshme që LDK dëshiron t’i shohë të gjithë ish komandantët në bankën e të akuzuarve, por mundësisht që kjo të ndodhë pa pëlqimin e tyre. Ose me një pëlqim të padeklaruar.
Dalim qesharak edhe vetëm nëse mendojmë të flasim për arsimin, shëndetësinë, korrupsionin, problemet tjera sociale. Ne, si shoqëri, tashmë jemi të shtrirë për toke, saqë duket se as nuk ndihet nevoja për të bërë ndonjë gjë të hairit. Në vend që të shkarkojmë krahun, ta bartim peshën që mund ta ngremë, të kthehemi dy tri herë deri të cungu, ne po vazhdojmë të ngarkohemi.
Shakespeare thotë se komedia nuk është asgjë tjetër, përveç tragjedia plus koha. Në rastin tonë kjo rregull nuk vlen. Ne jemi komik aty-për-aty, pa pasur nevojë që të kalojë asnjë ditë kohë.