Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që ta intervistojë Zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Sipas tij Sallahu duhet të intervistohet për deklaratën rreth fondit për mbrojtjen e të akuzuarve të Gjykatës Speciale.
“Deklaratat e zv. Ministrit të Drejtësisë të Qeverisë Kurti janë skandaloze, dashakeqe dhe keq-informuese, të cilat vijnë si vazhdimësi e sulmeve të mirë organizuara ndaj themelueseve dhe eksponentëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët gjinden në Hagë”, është shprehur Bytyçi.
“Fondi është i rregulluar në atë formë, sa që askush nuk mund të marrë as edhe një cent pa e ndjekur një procedurë të caktuar. Legjislacioni që e rregullon këtë fushë ishte hartuar në koordinim të ngushtë me vendet e BE-së, si dhe vetë Dhomat e Specializuara. Standardi që është vendosur si praktikë është standard ndërkombëtar. Për të ruajtur integritetin e mbrojtjes, këto shpenzime dhe qasja në këto dokumente janë kategorizuar si sekrete deri në përfundim të procesit gjyqësor, pas së cilit, publikimi i tyre dhe të gjitha shpenzimeve do të bëhet transparent, siç e përcakton dhe kërkon legjislacioni në fuqi”.
Ai ka shtuar se tentimi i Qeverisë Kurti për të minuar qasjen në fond nga të akuzuarit, është tentim i hapur për të dëmtuar mbrojtjen e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara në emër të transparencës.
“Kjo nxitje dashakeqe dhe e dëmshme për integritetin e mbrojtës, si dhe për interesin shtetëror të Republikës së Kosovës, duhet të ndalohet, qoftë edhe duke i trajtuar pretendimet e tyre të pabaza. Prandaj me këtë rast, ftoj Prokurorinë e Shtetit që të intervistojë zv. Ministrin në lidhje me deklaratat e tij në të cilat pretendon se është abuzuar më këtë fond”.