Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur në takim Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka bërë të ditur se bisedë e takimit ishte rritja e shumës së bursave për studentët, pas ankesës së tyre për zvogëlimin e shumës së bursave.
Temë e diskutimit ishte edhe dhënia në shfrytëzim i katit të dytë të Bibliotekës Universitare për Institutin e Historisë.
Postimi i plotë i Shyqiri Bytyqit:
“Sot kam pritur në takim Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina“, me të cilët bisedova lidhur me vendimin e MAShT për dhënien në shfrytëzim të katit të dytë të Bibliotekës Universitare për Institutin e Historisë.
Gjithashtu, biseduam edhe për bursat e studentëve dhe shqetësimin që është paraqitur nga ana e studentëve, ku shpreha përkrahjen time që bursat e studentëve të jenë më të larta se që janë aktualisht, ashtu që të ofrojmë mundësi dhe kushte që të ndjehen më komod gjatë shkollimit të lartë dhe të jetë motiv shtesë për studentët elitar. Ne do të jemi përkrahës të krijimit të kushteve sa më të mira për të shtuar motivin që studentët tanë të garojnë për tu futur në këtë kategori elitare”.