Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, dhe drejtoresha e Korpusit të Paqes, Darlene Grant, kanë vizituar një vullnetare të Korpusit të Paqes në punën e saj në shkollën fillore “Nënë Tereza”.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, falënderoi Korpusin e Paqes për kontributin që po jep bashkë me vullnetarët nëpër shkollat e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Sot është kënaqësi për ne që jemi së bashku me drejtoreshën e Korpusit të Paqes, ku e vizituam shkollën ku janë vullnetarët e Korpusit të Paqes të cilët duhet t’i falënderojmë për përpjekjen për t’i ndihmuar në mësuarjen e gjuhës angleze dhe bashkëpunimi i mësimdhënësve tanë për t’i shkëmbyer përvojat e tyre profesionale dhe sociale”, tha Bytyqi.
“Ky projekt që ka Korpusi i Paqes është projekti më i rëndësishmi dhe po jep rezultat për të gjitha këto shkolla që kanë angazhuar vullnetarë të Korpusit të Paqes. Është një projekt që ndihmon pozitivisht, nga informatat që marrim nga shkollat ku kemi vullnetarë dhe është kënaqësi kur sheh vetë nxënësit se sa janë të interesuar të bashkëpunojnë me vullnetarët dhe fjalët miradie që tregojnë për vullnetarët. Kjo tregon se sa i rëndësishëm është ky projekt që është duke u zhvilluar në shkolla tona”, tha ai.
Drejtoresha e Korpusit të Paqes, Darlene Grant, tha se është mirënjohëse për partneritetin që ka me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, raporton EO.
“Është kënaqësi me vizitu shkollën, me i taku mësimdhënësit e gjuhës angleze në mundin e tyre për ta bërë gjuhën angleze një mësimdhënie më të mirë. Jemi shumë mirënjohës për partneritetin që kemi me ministrinë dhe nxënësit i kemi të mrekullueshëm”, tha ajo.
Drejtori i Shkollës “Nënë Tereza”, Milaim Islami, tha se ky projekt i Korpusit të Paqes po ndihmon jashtëzakonisht nxënësit e shkollave në përvetësimin dhe mësimin e gjuhës angleze.
“Korpusi i Paqes në bashkëpunim me MAShT-in kanë gjetur njeriun më të duhur për të realizuar misionin e tyre që kanë paqe dhe miqësi dhe përveç shkëmbimit të përvojave ne kemi benefite të mëdha brenda shkollës që nga mësimi i gjuhës angleze e deri tek investimet materiale që kemi arritur me e realizu një projekt shumë të rëndësishëm siç është kabineti i shkencave të natyrës dhe biblioteka e shkollës sonë”, tha Islami.
Vullnetarja e Korpusit të Paqes, Tiffany Wimeneta, tha se po përjeton një eksperiencë shumë të mirë si mësimdhënëse në këtë shkollë.
“Është shumë mirë për këtë shkollë dhe është një eksperiencë shumë e mirë për nxënësit. Unë kam pasur një eksperiencë shumë të mirë këtu me nxënësit, kolegët dhe gjithë komunitetin dhe jam falënderuese për të gjithë këtu”, tha ajo.
Ëimeneta u shpreh shumë falënderuese ndaj familjes e cila i ka ofruar strehim dhe kujdes gjatë kohës për aq sa është ajo në Kosovë.
“Ata janë shumë të mirë, nuk mundem me shpjegu. Ata janë zemra jem”, shtoi Wimeneta.
“Veç një vit ka qenë ku fëmijët janë zhvilluar shumë, disa nxënës kanë ardhur në shkollë me padurim për me ardhë me mësu edhe më shumë”, tha ajo.
Momentalisht në Kosovë janë rreth 70 vullnetarë në gjithë Kosovën, të cilët u ndihmojnë fëmijëve të kenë qasje më të madhe dhe të aftësohen më shumë në gjuhën angleze. Vullnetarët ligjërojnë bashkë me mësimdhënësit shqiptarë. Në këtë mënyrë ata shkëmbejnë përvojat në dy kultura të ndryshme dhe dy palët mësojnë nga njëra-tjetra.