Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pritur në takim përfaqësuesin e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovcin për të diskutuar për avancimet e reja akademike në Universitetin e Prishtinës dhe konkursin që mbetet i hapur deri më 14 maj.
Në këtë takim është biseduar për nevojën e kthimit të personave që kanë përfunduar studimet superiore jashtë vendit dhe që janë të angazhuar në procese akademike jashtë vendit, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në konferencë për media i ftoi të gjithë personat që kanë doktoruar në univeristetet e njohura botërore të aplikojnë në konkursin për avancimet e reja akademike në Universitetin e Prishtinës, në mënyrë që të bëhet përzgjedhja më e mirë në UP.
Bytyqi ka thënë se që nga marrja e mandatit të tij si ministër i MAShT-it prioritet i tyre ka qenë çështja e avancimit akademik në Universitetin e Prishtinës.
“Ne presim që ky konkurs i shpallur një numër i konsiderueshëm të jetë një punë duke respektuar të gjitha procedurat ligjore me të vetmin qëllim që t’iu ofrojmë studentëve një studim cilësor me mësimdhënie çfarë munden me iu dhënë profesorët të cilët kanë avancime të mirëfillta akademike”, tha Bytyqi.
“Ne kërkojmë nga Universiteti i Prishtinës të respektojnë në mënyrë të përpiktë dhe ne do të jemi përkrahës të UP-së për çfarëdo që ka nevojë”, shtoi Bytyqi, raporton EO.
Përfaqësuesi i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovci tregoi për angazhimin e kësaj organizate që ka pasur për të arritur cilësinë me të mirë në UP dhe gjithashtu edhe ai ftoi të gjithë profesorët të cilët kanë kryer studimet jashtë vendit të kontribuojnë në Kosovë duke qenë pjesë e këtij konkursi për avancime akademike.
“Vitin e kaluar kemi nisur një betejë per cilësinë në Universitetin e Prishtinës dhe kjo nuk ka qenë një hap i marrur vetëm nga ne, por ka qenë trashëgimi e lënë nga organizatat e tjera dhe kemi arritur që 70 raste të preventohen të cilat kanë qenë të zjedhura në mënyrë jomeritore”, tha Gjinovci.
Gjinovci tha se ky sukses nuk ka qenë vetëm i ORCA-s por një rol të rëndësishëm ka pasur edhe menaxhmenti i UP-së dhe senati, raporton EO.
“Kjo betejë publike që është zhvilluar vitin e kaluar ka rezultuar që ministri Bytyqi ka nënshkruar një udhëzim administrativ që e rregullon çështjen e platformës që konsiderohet nga instituti per avancime akademike“, shtoi Gjinovci.